Pa media dhe vetëm me një kandidat, mbahen sot zgjedhjet për kreun e Akademisë së Shkencave. Gjinushi drejt rikonfirmimit

Në mënyrë krejt të papritur dhe pa njoftuar mediat dhe publikun, mbahen sot zgjedhjet për kreun e ri të Akademisë së Shkencave. Duke qenë se media nuk ishte në dijeni të zgjedhjeve, sot mësohet se kandidat i vetëm për këtë post është sërish Skëndër Gjinushi, i cili duket se ka bërë gati të gjitha kushtet për t’u rikonfirmuar sërish në detyrë.

Zgjedhjet mbahen sot pa rivalë dhe fushatë brenda ose jashtë Akademisë së Shkencave, me opinionin shkencor, ku pjesëmarrësit në garë të shpalosnin platformat dhe idetë e tyre.

Mësohet se rreth 15 akademikë kanë votuar paraprakisht me zarf në një procedurë krejt të dyshimtë, ndërkohë që votat e tyre janë administruar nga një komision teknik AD Hoc dhe jo nga një komision votimi, që duhej të ishte ngritur për këtë rast.

Bw shkruan se akademikët Nestor Thereska dhe Ardian Civici kanë propozuar Gjinushin për kryetar, ndërkohë i vetmi zë kundër kësaj procedure të ndjekur është akademiku Artan Fuga. Ky i fundit mësohet se ka kundërshtuar procedurat që po ndiqen sot nga Akademia e Shkencave për t’i hapur rrugë kështu rikonfirmimit të Gjinushit si kryetar.

Aktualisht, zgjedhjet po zhvillohen pa praninë e mediave, në një qark të mbyllur që lë vend për shumë dyshime. Kujtojmë se projektligji që parashikon ndryshime në ligjin e 2019-ës “Për Akademinë e Shkencave” u prit me kritika nga opozita dhe shumë akademikë, për formulimin që lidhej me mandatin e kryetarit të ASH-së. Me këto ndryshime iu hap rrugë rikonfirmimit të Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave.


Shtuar 20.10.2023 11:40