Osmani tregon rrugën e vetme për dialog me Serbinë

Presidentja Vjosa Osmani është shprehur se njohja e Kosovës nga Serbia është i vetmi opsion i pranueshëm për nisjen e dialogut mes dy vendeve.

Osmani ka deklaruar këtë të mërkurë se njohja e pavarësisë se Kosovës nga Serbia është e vetmja mundësi që të nisë dialogu sërish mes dy vendeve.

Gjatë një takimi me kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, Osmani ka thënë se tendenca e regjimit të Beogradit për të rishkruar historinë dëmton përpjekjet për hapjen e kapitullit të ri në raportet ndërshtetërore.

Ajo tha se ballafaqimi me të kaluarën, drejtësia për viktimat e luftës dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë janë parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon.

E para e shtetit tonë shprehu bindjen se shtetet e rajonit duhet të veprojnë bashkërisht për të parandaluar ndikimin e aktorëve malinj që synojnë minimin e të arriturave drejt integrimit në BE dhe NATO./albeu.com/

 


Shtuar 27.10.2021 19:27