Të gjithë ata që provokojnë marrëdhëniet ndërshtetërore apo mohojnë identitetin maqedonas nuk do të lejohen të hyjnë në Maqedoninë e Veriut. Kështu ka deklaruar në Sofje ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pasi vizitoi në spital një përfaqësues të qendrës bullgare “Car Boris Treti” nga Ohri.
Hristijan Pendikov ishte sulmuar fizikisht të enjten, më 19 janar. Sulmi ndodhi para zyrave të këtij klubi në Ohër, ndërkohë që hetimet ende nuk kanë përcaktuar nëse ai është sulmuar për shkak të mosmarrëveshjeve personale apo për shkak të shtetësisë së tij bullgare.
Para mediave bullgare, Osmani tha se bullgarët në Maqedoninë e Veriut do të kenë të njëjtat të drejta si të gjitha komunitetet e tjera, por gjithashtu porositi politikanët, si eurodeputetin Angel Xhambaskit dhe Kostadin Kostadinovi të partisë “Rimëkëmbja”, se nuk kanë vend në Maqedoni të Veriut, ashtu sikur nuk ka vend edhe për politikanët tjerë bullgarë, që sipas tij, fyejnë popullin maqedonas.
“Ne nuk do të lejojmë mohimin e komunitetit bullgar në Maqedoni të Veriut, por nuk do të lejojmë as mohimin e popullit maqedonas, prandaj dua të dërgoj një mesazh që provokimet të ndalen. Pra, çdo ardhje në Maqedoni të Veriut me qëllim të fyerjes së popullit maqedonas, mohimit të popullit maqedonas, do ta trajtojmë seriozisht dhe kjo do të jetë ardhja e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Osmani.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolaj Milkov, kërkoi që të ndalet gjuha e urrejtjes nga pala maqedonase.
“Dhuna nuk ka vend në Bashkimin Evropian”, tha Milkov, pa specifikuar nëse incidenti i fundit do të nënkuptojë veto të re bullgare.
Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupi duke mundësuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Vetoja ishte vendosur në nëntor të vitit 2020 për shkak të kontesteve mes dy vendeve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.
“Bullgaria këmbëngul me vendosmëri që autorët e këtij akti dhe akteve të tjera të ngjashme të dënohen me ashpërsinë e ligjit, për t’i dhënë fund kësaj atmosfere mosndëshkimi që po shkakton dhunë të re. Unë dua t’i them ‘jo’ ringjalljes së ‘traditave të zeza’ që historikisht janë të lidhura me Maqedoninë e Veriut – djegiet, pushkatimi dhe dhuna ndaj njerëzve. Këto gjëra nuk kanë fare vend në Evropë dhe ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për këtë”, tha ministri i Jashtëm bullgar Milkov.
Tensionet mes Shkupi dhe Sofjes janë ngritur në tre muajt e fundit pas hapjes së klubeve bullgare në Manastir dhe Ohër, që u kundërshtuan nga pala maqedonase pasi mbajnë emrat e Car Borisit të Tretë dhe Vanço Mihajlovit, personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut është intensifikuar edhe debate mbi nevojën e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, pikë që është e përfshirë në marrëveshjen mes dy vendeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për gjuhën, identitetin dhe aspektet historike./rel