Ora policiore mbetet në fuqi, Qeveria pritet të vendosi për dasmat (VIDEO)

Edhe më tej mbetet e pasigurt nëse do të lejohen ose jo të mbahen dasmat dhe ahengjet e tjera nëpër restorane dhe në ambiente të mbyllura.

Qeveria nesër do të vendos për masat mbrojtëse dhe restriktive, por nuk dihet nëse në rend dite do të jetë edhe kërkesa e gastronomëve të cilët për javë të tëra kanë protestuar edhe para Qeverisë.

Nga Oda e Pavarur e Hotelerike kërkojnë që të mos kufizohet orari i punës së tyre, të lejohet muzikë e gjallë, më tepër persona në tavolinë, por edhe organizimi i festave më të mëdha sipas protokolleve të caktuara.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pati paralajmëruar mundësinë për lehtësimin e punës së gastronomëve kah fundi i muajit maj, por një vendim i tillë për këtë sektor ende mbetet pezull.

Siç njofton Agjencia e lajmeve MIA, duke u thirur në konfirmimin e Ministrisë së Shëndetësisë, edhe përkundër uljes së numrit të të infektuarve me koronavirus, nuk do të ketë lehtësim të masave restriktive. Ata apelojnë që të respektohen masat ekzistuese, ndërsa për kërkesat e pronarëve të objekteve hotelerike ende nuk ka vendim zyrtar.

MIA njofton se Komisioni për sëmundje ngjitëse, në mbledhjen e mbajtur mëngjesin e sotëm, ka sjellë vendim që të mbeten në fuqi masat aktuale restriktive. Ora policore edhe më tej do të fillojë nga mesnata dhe do të zgjasë deri në ora 04:00 të mëngjesit, ndërsa lokalet do të mund të punojnë deri në ora 23:00.

Vendimi për lehtësimin e masave u soll të hënën e kaluar në bazë të pasqyrës epidemiologjike që konstatoi ulje të numrit të rasteve të reja dhe lehtësim të kapaciteteve spitalore.

Por edhe përkundër numrit gjithnjë e më shumë në rënie të rasteve pozitive, autoritetet vlerësojnë se masat duhet të respektohen, ndërsa në mesin e tyre mbetet edhe mbajtja e maskave në ambient të hapur. /shenjatv/


Shtuar 17.05.2021 17:10