Opozita kundër Buxhetit 2026/ Jorida Tabaku rendit 5 arsyet: Rritja e pagës minimale, barrë për bizneset dhe punonjësit, masat e qeverisë nuk përmirësojnë jetesën e qytetarëve

Në mbledhjen e Komisionit të Mediave dhe të Drejtave të Njeriut, deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, renditi pesë arsye kryesore pse buxheti 2026 nuk i shërben qytetarëve dhe nuk mbron të drejtat kushtetuese.

Gjatë diskutimit nen për nen të projektbuxhetit, Tabaku artikuloi shqetësime thelbësore që sipas saj tregojnë mungesë vizioni dhe mungesë mbështetjeje për shtresat në nevojë.

1. Minimumi jetik nuk njihet nga qeveria, pavarësisht kërkesave të Avokatit të Popullit

Tabaku theksoi se, edhe pse Avokati i Popullit ka kërkuar dy herë miratimin e minimumit jetik, buxheti nuk e njeh këtë të drejtë themelore. Ajo rikujtoi se kostot e jetesës kanë arritur në rreth 90 mijë lekë, ndërsa mbështetja shtetërore mbetet simbolike. Sipas saj, kjo është dëshmi se qeveria nuk e merr parasysh realitetin ekonomik të familjeve shqiptare.

2. Asnjë politikë e re për pensionet – pensionistët nuk përballojnë rritjen e çmimeve

Sipas Tabakut, ky është viti i 13-të radhazi që qeveria nuk propozon asnjë reformë serioze për pensionistët. Shpërndarja e bonusit në 12 muaj nuk sjell asnjë ndryshim real dhe nuk kompenson rritjen e çmimeve me 30–60% në një dekadë. Edhe të ardhurat e rritura nga TVSH, sipas saj, vërtetojnë që rritja e kostos së jetesës njihet vetëm në faturat e qeverisë, por jo në politikat sociale.

3. Çështja e pronave e bllokuar – vetëm 20% e dosjeve të shqyrtuara, shkelje e të drejtës kushtetuese

Tabaku ngriti alarmin edhe për pronat dhe dosjet e të përndjekurve politikë. Vetëm 20% e tyre janë trajtuar, ndërsa ligji i pronave është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas saj, situata aktuale përbën shkelje të qartë të së drejtës së pronës dhe rendit juridik.

4. Rritja e pagës minimale sjell barrë të re për bizneset dhe punonjësit, pa rritur cilësinë e jetesës

Deputetja demokrate tha se rritja e pagës minimale sjell një efekt shtesë prej 150–180 milionë euro për bizneset dhe punëmarrësit, kosto që nuk kompensohet me politika lehtësuese. Masat e qeverisë, sipas saj, nuk ndikojnë në përmirësimin e jetës së punësuarve, por vetëm shtojnë barrën fiskale.

5. “Paqja Fiskale” cenon barazinë para ligjit dhe favorizon informalitetin

Tabaku u ndal tek nisma e qeverisë për “Paqen Fiskale”, që sipas saj prek 200 mijë tatimpagues me 1.7 miliardë euro borxhe, ndërsa qeveria synon të mbledhë vetëm 400 milionë. Ajo deklaroi se kjo amnisti cenon barazinë para ligjit dhe nxit mosshlyerjen e detyrimeve. Tabaku kërkoi transparencë të plotë për përfituesit: kompanitë me tendera, me koncesione, apo subjekte të hetuara nga SPAK.

Tabaku nënvizoi se për këto pesë arsye thelbësore, opozita do të votojë kundër projektbuxhetit 2026, i cili, sipas saj, nuk është në interes të shumicës së qytetarëve shqiptarë dhe nuk adreson sfidat sociale dhe ekonomike të vendit.

 


Shtuar 27.11.2025 11:45