OBSH jep alarmin: 500 mijë vdekje mund të regjistrohen deri në mars

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësimin lidhur me situatën pandemike në Europë.

Drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge, paralajmëroi gjatë një interviste për BBC, se rreth 500,000 vdekje mund të regjistrohen nga Covid deri në muajin mars, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente.

Paralajmërimi i tij erdhi pas njoftimeve të Çekisë dhe Sllovakisë për numër rekord të rasteve të reja me COVID-19.

Edhe vende tjera evropiane kanë raportuar për përkeqësim të situatës me pandeminë.

Kluge tha se janë një numër faktorësh që kanë ndikuar në këtë gjendje, përfshirë vaksinimin e pamjaftueshëm, sezonin e dimrit dhe dominimin rajonal të variantit shumë të transmetueshëm Delta.

Më parë gjatë javës, Austria ka njoftuar një bllokim kombëtar duke filluar nga 22 nëntori, ndërsa vende si Republika Çeke dhe Sllovakia kanë thënë se po vendosin kufizime të reja ndaj njerëzve që nuk janë të vaksinuar.

Javën e kaluar Holanda vendosi një bllokim të pjesshëm tre-javor për të parandaluar përhapjen e COVID-19 pasi gjatë periudhës së fundit është shënuar rritje e rasteve të reja me koronavirus./albeu.com/


Shtuar 20.11.2021 15:32