“Nxori çakmakun dhe…”, detaje nga tentativa për të djegur me benzinë të miturën në Tiranë, autori djali i ish-policit

Të tjera detaje janë zbuluar nga tentativa për të djegur me benzinë të miturën në Tiranë.

Sipas burimeve, autori, Ardit Çela, është djali i një ish-polici dhe i njohur si kontigjent krimi.

E mitura ka treguar përballë një oficere të gjithë skenën tragjike, ku bashkëjetuesi i saj, Ardit Çela, së bashku me dy shokët e tij, kishin tentuar ta digjnin me benzinë në shkallët e pallatit.

Sipas burimeve, Çela ka pasur një marrëdhënie me të miturën dhe gjithçka ka ndodhur pas mosmarrëveshjeve për shkak të dyshimeve për tradhti.

Gjithashtu mësohet se ai e ka survejuar një ditë 16-vjeçaren duke e pikasur atë me një person tjetër në hotel. Kjo ka sjellë që Çela të hakmerret, në formën me ekstreme duke vënë në zbatim planin për ta djegur me benzinë 16-vjeçaren.

Deshmia

Tragjedia është shmangur nga vetë 16-vjeçaria e cila sapo ka ndier erën e benzinës, me të cilën e ka lyer bashkëjetuesi i saj, ka filluar të reagojë menjëherë.

“…unë kam parë Arditin që të më lagi në shkallët e pallatit me një bidon të vogël, të cilin e kishte mbushur me benzinë. Benzinën e kam dalluar nga era, dhe jam trembur shumë. Arditi ka nxjerrë nga xhepi një çakmak dhe aty, e tmerruar jam larguar me vrap përmes pallateve duke kërkuar ndihmë…” – ka treguar në polici 16-vjeçarja.

Kjo e fundit i është drejtuar komisariatit nr. 2 në Tiranë duke depozituar kallëzim penal, dhe treguar të gjithë ngjarjes.

Pas denoncimit policia ka shoqëruar dhe arrestuar Ardit Çelën, për akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë dhe dy shokë të tij që kanë qenë së bashku në momentin e lyerjes me benzinë të 16-vjeçares.

Gjatë marrjes në pyetje Ardit Çela nuk ka pranuar të jetë ai autor i ngjarjes, duke mbajtur një qëndrim mohues në polici.

Pritet që në ditët në vijim ai të dali para gjykatës së Tiranës, për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”.