Nuk u pranuan në komisione, gazetarët protestojnë para Parlamentit

Këtë të mërkurë gazetarët e terrenit të mediave në vendin tonë protestuan përpara Parlamentit kundër vendimit të Byrosë së Kuvendit që i la jashtë mbledhjeve të Komisioneve parlamentare.

Gazetarët firmosën një draft-kërkesë, të cilën thanë se do t’ia dërgojnë Kuvendit, ambasadave, OSBE-së, Avokatit të Popullit, Kryeministrisë, dhe Presidentit. Ata e konsiderojnë vendimin si cenim të punës së tyre, transparencës dhe kundër interesit të publikut.

Gazetarja, Esiona Konomi ka bërë thirrje që iniciatorët të tërhiqen nga ky vendim. Sipas gazetares kjo pengon punën e gazetarëve, duke theksuar se misioni i saj është të transmetojë gjithçka që sheh vetë dhe jo atë që servir një institucion i caktuar shtetëror.

“Akreditimi do të thotë barazi për të gjithë. Do të thotë që dua t’i shoh vetë ato që transmetoj. Ndërkohë që ne me këtë vendim duhet të izolohemi. Kam marrë telefonata të ndryshme të anëtarëve të Byrosë që thonë se nuk kanë marrë pjesë në këtë, por ky nuk është faji ynë sepse ata mund të jenë duke gënjyer. Nuk dua të transmetoj diçka të kontrolluar nga një organ shtetëror. Dua të trajtoj gjithçka që shoh vetë. I bëj thirrje maxhorancës që të tërhiqet. Kjo nuk është një betejë e imja personale, por për çdo gazetar që e ka këtë si punë dhe mision. Është për të gjithë ata që e besojnë fjalën e lirë,” u shpreh gazetarja Esiona Konomi.

Gazetari Osman Stafa tha më tej se nëse miratohet ky vendim gazetarët do të gjenden në një pozicion shumë të vështirë dhe do të humbasin mision e tyre.

“Ky është misioni ynë nëse na mbyllet dhe kjo derë gjendemi në një pozicion shumë të vështirë. Nëse materialet janë të gatshme dhe shkojnë më media, ç’punë ka gazetari më? Kështu nuk mund ta çojmë përpara misionin tonë,” u shpreh ai.

Vendimi për përjashtimin e gazetarëve nga mbledhjet e Komisioneve parlamentare mban firmën e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe synon që ti “akomodojë” gazetarët në një zyrë, ku do të ndjekin përmes ekraneve dixhitale punimet e Komisioneve. Por vendimi bie ndesh me të drejtën e informimit dhe transparencën e zyrtarëve të lartë.


Shtuar 9.06.2021 10:53