Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të LDK-së në këtë komunë.
Ai është shprehur se këtë vendim e ka marrë si përgjegjësi morale për mosarritjen e rezultatit të duhur në zgjedhjet lokale.
Megjithë përmirësimin e rezultatit në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021 dhe rritjes së numrit të këshilltarëve, sipas tij ishte e pamjaftueshme që të jemi në raundin e dytë për të kryetarin e komunës.
“Unë vazhdoj të mbetem dhe të angazhohem si anëtar i Kryesisë së Degës, Nënkryetar i LDK-së në qendër dhe deputet i GP të LDK-së. Të qenit kryetar i degës ishte privilegj dhe përvojë e mirë, por jam i bindur se me dorëheqjen time po mundësohet një riorganizim më i mirë i LDK-së në Prizren, nëndegëve dhe forumeve, me të cilin do të krijohen parakushtet për afirmimin e të rinjve te Prizrenit, ruajtjen e bërthamës por edhe hapjen e dyerve për më shumë njerëz e kuadro që do ta forcojnë LDK-në dhe do ta bëjnë konkurente serioze për ciklin e ri zgjedhor. Faleminderit të gjithë votuesve dhe bashkëpunëtorëve që në çdo situatë më qëndruan afër. Ju jam mirënjohës dhe vazhdojmë me punë të mira për vendin e për LDK-në”, ka shkruar ai./albeu.com/