Në tremujorin e dytë të vitit 2025, treguesit e punësimit, papunësisë dhe forcës së punës kanë pësuar të gjithë rënie në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar tkurrjen e fortë të popullsisë më shumë se zhvillimet në tregun e punës.
Sipas të dhënave nga Anketa Tremujore të Forcave të Punës, numri i të punësuarve mbi 15-vjeç arriti në 1,171,084 persona në tremujorin e dytë 2025, duke u tkurrur me rreth 10,872 individë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që përkon me një ulje prej 0,9%.
Kjo rënie u reflektua kryesisht te të rinjtë 15–29 vjeç, ku numri i të punësuarve u reduktua me mbi 11 mijë persona, si dhe tek grup-mosha 30–64-vjeç, ku tkurrja ishte mbi 7 mijë individë.
Në tërësi, numri i të papunëve mbi 15-vjeç mbeti pothuajse i pandryshuar, duke u ulur me vetëm 311 persona, ndërsa norma më e lartë e rënies u regjistrua sërish te të rinjtë 15–29-vjeç, me një tkurrje prej 5,6%.
Nga ana tjetër, grup-mosha 30–64-vjeç pa një rritje të lehtë të të papunëve, duke sinjalizuar sfida të reja në tregun e punës për këtë kategori.
Popullsia inaktive mbi 15-vjeç gjithashtu shënoi një ulje të lehtë me rreth 5.400 persona, ç`ka tregon një zhvendosje të vogël të popullsisë në moshë pune drejt nevojës për punësim.
Gjithashtu, forca e punës që përfshin të punësuarit dhe të papunët aktivë u tkurr me 11,183 persona se një vit më parë, me rënie vjetore 1%.
Brenda këtij grupi, të rinjtë 15–29-vjeç patën rënien më të fortë, me mbi 22 mijë individë më pak, ndërsa grupmosha 30–64-vjeç pa një rritje me 2703 persona, duke treguar se grupmosha e re po tkurret dhe përfshirja në punësim po zhvendoset drejt moshave më të vjetra.
Në tërësi, të dhënat sinjalizojnë një dobësim tregut të punës gjatë vitit 2025, nga tkurrja e popullsisë dhe sidomos grupeve të reja në moshë.
Pas censit deri në fillim të 2025, popullsia e vendit u tkurr me tej 39 mijë persona shumica të rinj.
Popullsia e vendit po tkurret me shpejtësi nga emigracioni më i lartë dhe lindjet më të pakta.
Popullsia e mbetur ka ndryshuar strukturën në favor të moshave të vjetra. Kështu që treguesit e punësimit dhe papunësisë, më shumë po ndikohen nga zhvillimet demografike se sa nga forcat reale të tregut./Monitor