Pas zhvillimeve të fundit që prekën drejtues dhe ish-drejtues të institucioneve kryesore të sigurisë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, reagoi duke e vendosur përgjegjësinë politike mbi kryeministrin Edi Rama.
Gjatë emisionit “Minuta e parë”, Noka i kushtoi vëmendje kontrolleve që SPAK kreu në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, si dhe masës së arrestit shtëpiak dhe pezullimit nga detyra të drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Të lidhura
None found
Sipas tij, fakti që drejtues të institucioneve të rëndësishme janë përfshirë në hetime nuk mund të lexohet vetëm si përgjegjësi individuale.
Ai e cilësoi qeverinë si të korruptuar dhe theksoi se përgjegjësia duhet të shkojë edhe te ata që i kanë emëruar këta drejtues.
Duke sjellë si shembull rastet e Ilir Prodës dhe Vlora Hysenit, Noka nënvizoi se ata nuk i kanë zënë vetë postet drejtuese. Ndërsa foli për hapat e mëtejshëm të kryeministrit pas këtij skandali, ai shprehu bindjen se Rama do të përpiqet ta përballojë situatën pa marrë përgjegjësi politike, duke përdorur të njëjtën strategji komunikimi si në raste të mëparshme.
“Nëse do të kishte drejtësi, nga Rama në një përgjegjës të një sektori do të ishin të gjithë brenda. Janë të gjithë të korruptuar në rrënjë. Si mund të rrijë një kryeministër kur është i zhytur në çdo skandal. Proda nuk u vetëemërua, as Hyseni edhe pse dyshohej për spiunazh në Kosovë. Kur i emëron edhe pse je i paralajmëruar, përgjegjësia nuk është më individuale, por politike dhe e ekipit. Jam i sigurt që Rama do të bëjë atë që ka strategji. Do besojë se çudia më e madhe zgjat 3 ditë, do e kalojë me një batutë dhe kaq. Ka rënë shteti, drejtësia mund të jetë duke funksionuar vende-vende, por shteti ka vdekur. Duke dalë Proda, Agasi, Hyseni, tregon që shteti është organizatë kriminale, për këtë duhet t’i akuzojë SPAK, nuk ka përgjegjësi individuale. Jam shumë skeptik me hetimet e SPAK, por nëse do të kishte drejtësi, shkohet tek kreu i organizatës, Rama”, tha ai.
