Nga Olga Lautman “Center for European Policy Analysis”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Kisha ka qenë në ballë të sulmit të paprovokuar dhe të gjithanshëm të Rusisë kundër Ukrainës. Patriarku Kirill, 76-vjeç, ka qenë një mbështetës i zëshëm i luftës.
Ai u ka thënë 90 milionë ndjekësve të tij se “sakrifica gjatë kryerjes së detyrës suaj ushtarake fshin të gjitha mëkatet”, dhe e ka përshkruar si një “luftë të shenjtë” sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Pra është propaganduar një mesazh i modës së vjetër, thuajse mesjetare: Vdisni për Rusinë, dhe shkoni në Parajsë.
Gjatë 10 muajve të fundit të luftës, Kisha Ortodokse Ruse ka qenë një burim solid i mbështetjes për agresionin e Kremlinit, duke e bekuar operacionin ushtarak, edhe pse numri i viktimave është rritur, dhe është heshtur mbi ukrainasit e shënjestruar, torturuar dhe vrarë nga ushtria ruse.
Vlen të kujtohet se Kirill e përshkroi dikur sundimin e Putinit si një “mrekulli të Zotit”
dhe ai ndoshta ende është i zemëruar për humbjen e 1/3 së grigjës së besimtarëve pas shkëputjes së Kishës Ortodokse të Ukrainës. Kirill dhe ndihmësit e tij mund të shpresojnë se një fitore e Rusisë, do të sillte rikthimin e këtyre besimtarëve nën suazën shpirtërore të Moskës.
Disa kritikë kanë sugjeruar se Kisha Ortodokse Ruse nuk ka rrugë tjetër veçse ta mbështesë Putinin, por kjo është sigurisht tepër bujare. Kirill, një klerik i epokës sovjetike me lidhje të forta me KGB-në, ish-punëdhënësja e presidentit, është absolutisht i varur nga shteti, politikisht dhe financiarisht.
Por kjo nuk duket se e shqetëson shumë atë. Kirillit iu dha një rezidencë në Kremlin në vitin 2004, teksa në vitin 2010 qeveria i ktheu kishës sipërfaqe të mëdha toke dhe prona të tjera të konfiskuara nga Bashkimi Sovjetik. Po ashtu shteti i jep çdo vit grante me vlerën e qindra miliona dollarëve.
Në qershorin e vitit 2022, zëvendësi i tij, Mitropoliti Hilarion, një intelektual mbresëlënës, i përshkruar shpesh si Ministri i Jashtëm i kishës, u hoq nga posti i tij nga Putini pasi nuk e mbështeti pushtimin.
Ata që janë akord me këtë akt janë të bekuar.
Kështu miliarderi ortodoks pro-Kremlinit, Konstantin Malofeev, drejton organizatën private bamirëse më të madhe në vend, Fondacionin e Shën Bazilit. Lidhjet e tij me Vladimir Putinin janë të paqarta. Ai është sigurisht një mik i ngushtë i këshilltarit të tij shpirtëror, por është sanksionuar nga SHBA për rolin e tij në pushtimin e Krimesë dhe Ukrainës Lindore në vitin 2014.
“Ai luajti një rol kryesor në mbështetjen e pushtimit rus të vitit 2014 në Ukrainën Lindore, vazhdon të drejtojë një rrjet propagandistik pro-Putinit, dhe së fundmi e përshkroi si “luftë të shenjtë”, pushtimin ushtarak rus të Ukrainës në vitin 2022”- u shpreh FBI.
Malofeev punësoi dikur Igor Girkin, me nofkën e luftës Strelkov, një ish-agjent i FSB-së, që luajti një rol të rëndësishëm ushtarak në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2014. Strelkov tha se u punësua nga Malofeev në prag të pushtimit të Ukrainës Lindore.
Por një hetim zyrtar holandez, publikoi prova se gjatë asaj periudhe ai merrte urdhra të drejtpërdrejtë nga një kolonel i FSB-së. Strelkov nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me çështjen e paraqitur nga uebsajti investigativ “Bellingcat”.
Malofeev ka financuar prej kohësh përpjekjet e Kremlinit për të përhapur të ashtuquajturat “vlera familjare”, përfshirë samitin e vitit të kaluar SHBA-Rusi të të krishterëve të krahut të djathtë, që kundërshtojnë martesat mes të njëjtës gjini dhe abortin.
Po ashtu ai themeloi shumë media të krahut të djathtë ortodoks, si Tsargrad TV, me ndihmën e një ish-producenti të Fox Neës, i cili vitin e kaluar u padit nga Shtetet e Bashkuara. Gjatë muajve të fundit, Kisha Ortodokse Ruse thuhet se ka marrë një rol edhe më aktiv në sulmin në shkallë të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës.
Sipas disa raporteve mediatike, kisha krijoi një grup mercenarësh, Kryqi i Shën Andreas, dhe filloi të rekrutonte në mënyrë aktive njerëz për të dërguar një batalion vullnetarësh në Ukrainë.
Në një intervistë televizive, Vladimir Khilchenko, drejtor koordinues i grupit, deklaroi se “kjo është kompania ushtarake private nën varësinë e Kishës Ortodokse Ruse”.
Më vonë Kisha tha se ajo ishte një “qendër e trajnimit taktik” për disa kompani ushtarake private dhe se nuk drejtohej posaçërisht prej saj. Roli i Kishës Ortodokse Ruse si një nxitëse e padiskutueshëm e ambicieve imperialiste të shtetin rus nuk është i ri.
Gjatë sundimit carist, Kisha Ortodokse nuk ishte shpeshherë në gjendje të mblidhte fonde nga famullitë që jetonin në varfëri të thellë, sidomos në zonat rurale.
Ndaj fondet për klerin nxirreshin ndonjëherë nga priftërinjtë që u ofronin shërbimeve sekrete informacione mbi famullitë e tyre.
Po ashtu priftërinjtë e këshillonin fshatarësinë që të duronte mundimet e jetës së përditshme dhe përsërisnin vazhdimisht se Cari ishte ngjitur në fron nga Zoti, ndaj atij duhet t’i bindeshin.
Për këto arsye dhe të tjera, bolshevikët e urrenin kishën, ndaj ata u shtypën brutalisht. Kishat u plaçkitën dhe u përdhosën, dhe klerikët e saj u arrestuan, u torturuan dhe u vranë. Prandaj për shumë njerëz ishte një surprizë kur ateisti Josif Stalin e rehabilitoi Kishën gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e vënë sërish nën kontrollin e shërbimeve sekrete.
Kjo do të thoshte se Kisha Ortodokse ishte shumë e organizuar dhe e depërtuar nga shërbimet e sigurisë, dhe se funksioni i saj kryesor ishte nxitja e patriotizmit në Bashkimin Sovjetik si pjesë e përpjekjeve të luftës pas pushtimit nga Gjermania naziste.
Përmasat e kontrollit të saj të thellë nga komunistët u bë më e qartë pas shembjes së BRSS sovjetike. Prifti ortodoks rus disident, Gleb Yakunin, që u bë anëtar i Dumës Shtetërore të Rusisë, e akuzoi kishën se jo vetëm që ishte komprometuar nga komunistët, por edhe nga KGB-ja.
KGB-ja i hapi arkivat e saj për një komision hetimor të parlamentit rus, dhe hetuesit zbuluan raporte të gjera që tregonin në detaje aktivitetet e agjentëve dhe informatorëve të nivelit të lartë brenda hierarkisë së Kishës Ortodokse dhe thuajse çdo feje tjetër të njohur në Bashkimin Sovjetik.
“Nuk u arrit të depërtohej vetëm tek kishat klandestine dhe të paregjistruara”- tha Yakunin. Për më tepër, ai pohoi se agjentët brenda kishave u përpoqën të ndikonin tek organizatat e huaja, përfshirë Këshillin Botëror të Kishave (ËCC), Konferencën e Kishave Evropiane, madje edhe tek Vatikani.
Yakunin shkoi në Uashington për ta paralajmëruar Amerikën se Kisha Ortodokse Ruse “nuk kishte bërë asnjë lëvizje të vetme” për të ndaluar infiltrimin. “Ne po përpiqemi të paralajmërojmë kishat në Rusi dhe në Perëndim. . .për atë që ka ndodhur më parë dhe mund të vazhdojë përsëri”- tha ai.
Dhe në fakt kjo gjë ndodhi sërish. Pas një periudhe të shkurtër lirie relative, Kremlini i Putinit ishte i prirur që të rivendoste marrëdhëniet e dikurshme midis Moskës dhe Kishës, megjithëse në një mënyrë të ndryshuar. Patriarku Kirill, një mbështetës i zellshëm i pushtimit të Putinit në Ukrainë, ishte një agjent i KGB-së, dhe mbante nofkën “Mikhailov”. Ky fakt është përmendur për herë të parë në arkivat e policisë sekrete në vitin 1972, kur ai ishte një prift 25-vjeçar.
Kirill i kaloi vitet e tij duke u infiltruar në ËCC dhe organe të tjera ndërkombëtare në emër të Bashkimit Sovjetik. Paraardhësi i tij, Patriarku Aleksi II, ishte gjithashtu një agjent i KGB-së, sipas një dokumenti të epokës sovjetike të zbuluar në Estoni, dhe vepronte me emrin e koduar “Drozdov”.
Prandaj nuk ishte e çuditshme që shteti i pavarur ukrainas, kishte një pikëpamje të zymtë mbi këtë organizatë, e cila kishte një prani të madhe në mesin e saj. Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm ukrainas Petro Poroshenko nënshkroi një ligj që i kërkonte Kishës Ortodokse Ukrainase të Patriarkanës së Moskës që të ndryshonte emrin e saj.
Po atë vit, u formua Kisha Ortodokse e Ukrainës, duke u shkëputur nga motra e saj ruse. Presioni u rrit pasi Putin urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar. Kisha u akuzua se mbronte pushtimin, ndërsa shërbimet ukrainase të sigurisë paralajmëruan se ajo ishte një organizatë subversive dhe përbënte një kërcënim.
Po ashtu Kisha Ruse u akuzua se ishte përfshirë në operacione dezinformuese dhe se priftërinjtë, murgjit dhe murgeshat mund të kenë ndihmuar fushatën ushtarake ruse. Andriy Pavlenko, një abat i kishës ortodokse në Ukrainën Lindore, u dënua si spiun, pasi provat e gjetura treguan se punoi në mënyrë aktive për të vrarë ushtarët dhe aktivistët ukrainas.
Po ashtu dyshohet se ai i kishte dërguar ushtrisë ruse dokumente me emrat e ukrainasve që duheshin eleminuar. Së fundmi, ai u shkëmbye me disa të burgosur ukrainas.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, inteligjenca ukrainase bastisi kishat ortodokse ruse dhe akuzoi një kryepeshkop për mbështetjen e pushtimit në postimet e tij në mediat sociale.
Kritikët e kishës thonë se Perëndimi duhet të kuptojë se Kisha Ortodokse Ruse është aq subversive sa edhe çdo lloj arme tjetër që përdor sot Kremlini kundër Ukrainës.
Pavarësisht rolit të tij, Patriarku Kirill është vendosur në listën e sanksioneve vetëm nga Britania e Madhe dhe Kanadaja, dhe kisha mbetet ende pjesë e ËCC. Ndaj është koha që të shtohen masat kundër saj. /albeu.com