“Një shtet pa rini është pa të ardhme”, Dash Sula akuzon Ramën: Synon të zbrazë Shqipërinë

Deputeti Dashnor Sula, në një reagim në “Facebook” është shprehur me kritika ndaj kryeministrit Edi Rama.

Sula thekson se shpopullimi i vendit është një nga problematikat më të mëdha, ndërsa akuzon kryeministrin se kjo ndodh për shkak të keqqeverisjes.

Statusi i plotë:

Më i egër Rama për shqiptarët se sa Putin për ukrainasit.

Nëse ka një problem të përmasave të stërmëdha dhe shqetësuese në Shqipëri është shpopullimi. Ikja e të rinjve dhe të rejave çdo ditë edhe më shumë. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se eksodi i shqiptareve drejt vendeve të BE është rritur ndjeshëm gjatë 8-mujorit të këtij viti.

Sipas të dhënave të Eurostat për periudhën Janar- Gusht 2022 janë regjistruar gjithsej 6,860 aplikime për azil në BE nga shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 68% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Referuar po institutit të Statistikave të BE në Gusht aplikimet për azil nga shqiptarët ishin gati 1100, ndërsa të Ukrainës në korrik (e dhëna e fundit e disponueshme) ishin 950. Për më tepër që Ukraina ka një popullsi prej 43 milionë banorësh, ndërsa Shqipëria ka zyrtarisht rreth 2.8 milionë banorë.

Për më tepër duhet të theksojmë se Ukraina po përballet me sulme brutale me predha e bomba luftarake, ndërsa Shqipëria ka një kryeministër që kontrollon të gjitha pushtetet.

Shifrat janë edhe më alarmante nëse llogarisim ata të cilët ikin me pashaporta dhe të atyre të cilët kaloj në mënyrë ilegale kufirin dhe punojnë e jetojnë pa u regjistruar.

Kryeministri në fakt e ka treguar objektivin e tij. Ai do ta zbraz Shqipërinë nga të rejat dhe të rinjtë e shkolluar e në moshën më vitale për të punuar e kërkon ta mbush me qytetar të vendeve të treta që nuk kërkojnë llogari për keqëqeverisjen dhe me pensionistë nga BE.

Por një shtet pa rini është një shtet pa të ardhme ndaj ne duhet ta ndalim këtë plan dashakeqës. Hapi i parë fillon më 14 Maj 2023 duke ia kthyer qytetarëve pushtetin lokal përmes kandidatëve të opozitës.