Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, foli këtë të shtunë në mëngjes në Euronews Albania në një intervistë me moderatoren Alba Xhani. Për herë të parë në ekranin e këtij televizioni pas vendimit të marrë për rastin e Ikballe Hudutit, shtetases shqiptare nga Kosova që u cilësua e “padëshiruar” nga qeveria shqiptare si person i lidhur me Iranin, ai shpjegoi se si u arrit në këtë masë.
Sipas Lamallarit, vendimi është marrë pas grumbullimit dhe analizimit të informacionit të mbledhur prej kohësh për këtë shtetase. Ai sqaroi se institucionet ligjzbatuese, policia, antiterrori dhe shërbimi inteligjent, në bashkëpunim edhe me partnerët, mbledhin çdo ditë dhe në mënyrë periodike të dhëna për shtetas të ndryshëm që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë, sigurinë publike, sigurinë kombëtare apo interesin publik.
Të lidhura
None found
Ai theksoi gjithashtu se ministri i Brendshëm ka në dispozicion edhe urdhrat e përgjigjes parandaluese, për të cilat nevojitet miratimi dhe autorizimi i GJKKO-së, sa herë që ka dyshime për financim të terrorizmit, nxitje të dhunës apo nxitje të urrejtjes. Sipas tij, kjo është pjesë e funksionit të institucionit që drejton.
Lamallari nënvizoi edhe një herë se kjo çështje i përket një periudhe më të hershme dhe se publiku duhet ta ketë të qartë që e drejta për të protestuar respektohet plotësisht. Ai shtoi se institucionet dëgjojnë shqetësimet e çdo protestuesi që shpreh sinqerisht mendimin e tij ndryshe, por pjesëmarrja në një protestë, sipas tij, nuk mund të shërbejë si imunitet për këdo që ka një agjendë të caktuar, e cila është dokumentuar edhe nga agjencitë e zbatimit të ligjit.
