Shatërvani i Wroclawit, një prej pikave turistike më të frekuentuara në Poloni, u godit nga rrufeja, duke pësuar dëme të mëdha në sistemin e ndriçimit dhe duke sjellë ndërprerjen e përkohshme të shfaqjeve speciale.
Ngjarja u regjistrua të shtunën, më 20 qershor. Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga autoritetet të enjten, tregojnë çastin kur rrufeja godet shatërvanin. Në atë moment, në zonë ndodheshin edhe fëmijë, por për fat të mirë nuk u raportua asnjë i lënduar.
Të lidhura
None found
Sipas administratorëve të objektit, goditja elektrike preku grykat qendrore të ujit të shatërvanit, duke shkaktuar dëmtime të rënda në pajisjet elektronike.
“Shumë nga pajisjet janë djegur dhe duhet të zëvendësohen. Duke qenë se sistemi është kompleks, riparimi dhe zëvendësimi i komponentëve do të zgjasë disa javë”, njoftuan zyrtarët.
Ky shatërvan ndodhet pranë Sallës së Shekujve (Hala Stulecia), një monument i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe njihet për shfaqjet me ujë, dritë dhe muzikë që tërheqin çdo vit mijëra vizitorë.
Administratorët sqaruan se shfaqjet e zakonshme të ditës dhe të mbrëmjes do të vijojnë, por me një program të kufizuar, ndërsa shfaqjet speciale do të qëndrojnë të pezulluara deri në përfundimin e riparimeve.
Në të njëjtën kohë, vizitorëve u është kërkuar të respektojnë ndalimin e hyrjes në pellgun e shatërvanit. Sipas tyre, kjo rregull shkelet shpesh, pavarësisht sinjalistikës dhe paralajmërimeve të vendosura.
