“Një javë pushime falas në Rodos”, Greqia do të dëmshpërblejë turistët që përjetuan tmerrin nga zjarret

Kyriakos Mitsotakis foli për kanalin britanik ITV dhe dha në mesazh për personat që humbën pushimet në Rodos për shkak të zjarreve, duke njoftuar se do të dëmshpërblehen.

“Qeveria greke, në bashkëpunim me autoritetet lokale, do të ofrojë një javë pushim falas në Rodos në pranverën ose vjeshtën e ardhshme për të gjithë ata që e humbën pushimet për shkak të zjarreve”, tha kryeministri duke folur për kanalin britanik ITV në emisionin “Mirmëngjes Britani”.

Greqia është një vend i sigurt ishte mesazhi kryesor i kryeministrit, ndërsa sqaroi se turistët që dëshirojnë ta bëjnë këtë do të mund të kthehen në Rodos vitin e ardhshëm në pranverë për të shijuar ishullin dhe bukuritë e tij.

Si në pjesën tjetër të destinacioneve ashtu edhe në Rodos, britanikët janë të mirëpritur dhe ajo që u dëshmua nga kriza e fundit në ishull është se Greqia është më e përgatitur për fenomene të tilla, vuri në dukje  Mitsotakis.

Ai theksoi se një operacion i madh për evakuimin e rreth 20 mijë njerëzve nga Rodosi, nga të cilët vetëm 15% u prekën nga zjarret, u krye në mënyrë shumë të sigurt.

Zjarret kemi pasur gjithmonë, si në Greqi ashtu edhe në Mesdhe, intensiteti i tyre është bërë më i madh për shkak të ndryshimeve klimatike, shpjegoi kryeministri. Greqia ka si prioritet absolut përshtatjen dhe reagimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe kalimin në forma të pastra të energjisë, por problemi nuk ka të bëjë vetëm me Mesdheun, nënvizoi ai.

Në lidhje me imigracionin, ai vuri në dukje se qasja greke është e ashpër, por e drejtë, ajo ka arritur të reduktojë flukset drejt ishujve. Greqia kërkon rrugë legale për ardhjen e emigrantëve, por me kushtet e veta, jo me kushtet e trafikantëve, sqaroi zoti Mitsotakis./Albeu.com/


Shtuar 2.08.2023 10:56