Nishani krah Harxhit: PD në kaos, Basha po tenton të manipulojë demokratët

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, ndodhet sot në Korçë krah kandidatës për kryetare, Edith Harxhi.

Gjatë fjalës së tij, Nishani tha se PD është në kaos dhe se mund të ketë persona që mund të jenë komodë në opozitë, që mund të bëjnë biznese me qeverinë.

Ish-presidenti ka hedhur akuza edhe ndaj Bashës, ku tha se vërtet zgjedhjet u manipuluan dhe u blenë, por Basha duhet të shohë edhe veten.

Më tej Nishani tha se Basha po tenton të manipulojë demokratët.

“Sot PD është në një situatë kaotike, dëshpërimi, zemërthyerje, por a mund të mbetemi peng i këtij momenti? Unë mendoj që jo. PD ka resurse dhe forca të panumërta. Përtej zemërthyerjes dhe goditjes së fortë duhet të projektojmë PD-në e së nesërmes. Kemi ardhur duke e rrudhur partinë.

Mund të ketë 1, 2, 3, 4 apo 5 persona që mund të jenë komodë në opozitë, që mund të bëjnë biznese me qeverinë dhe s’i luan kush, por ne na preukupon fati i një shoqërie.

Me të drejtë gjithë kush prej nesh do të rendisë vështirësitë, padrejtësitë, dhunën e një pushteti, manipulimin, blerjen e votës, influencën e pushtetit. Biem dakord që ky është realitet, por duhet të shikojmë edhe tek vetja.

Historia e zhvillimeve shoqërore në cdo vend të botës por edhe në Shqipëri ka treguar që kur një opozitë arrin të motivojë, të fitojë besimin e shumicës së qytetarëve atëherë qytetarët derdhen në qendrat e votimit pa marrë parasysh shantazhin dhe bën përmbysjen që dëshiron. Kemi përgjegjësinë t’i shikojmë të dyja anët e medaljes.

A do të mbetemi peng dhe të dorëzohemi pafundësisht te njëra anë e medaljes apo do të reagojmë duke marrë në konsideratë edhe anën tjetër? Unë jam i bindur që ky regjim që e ka kapur Shqipërinë, ne nuk mundemi që ta ndryshojmë vetëm përmes kërkesave tona publike, vetëm përmes ekzistencës, por mund ta rrëzojmë përmes aktivitetit dhe unë mendoj që këtu duhet të fillojë analiza, diskutimi dhe projektimi i një të nesërme, pasi nuk do të kishte asnjë vlerë nëse do të mbetemi peng i të djeshmes.

E quaj spekulative tezën fitoi Rama apo pati masakër elektorale. Është po aq e keqe sa manipulimi që ka bërë Rama gjatë zgjedhjeve, të manipulosh tani demokratët. Pyetja është a i fitoi apo i humbi PD zgjedhjet? Kjo është të fyejmë inteligjencën e njëri tjetrit dhe të ngacmojmë përtej limiteve ndjeshmëritë emocionale të demokratëve. Për ta rrëzuar Ramën duhet të luftojmë brenda sistemit” tha Nishani./albeu.com


Shtuar 29.05.2021 18:49