Erinda Ballancës i ka mbaruar mandate dhe tashmë Kuvendi po bëhet gati për nisjen e procedurave që do të çojnë në zgjedhjen e një emri të ri në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, i cili të paktën gjatë dy dekadave të fundit është mbajtur nga kandidatët e propozuar prej opozitës.
Gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i kërkon Gazment Bardhit që të uleshin bashkë për të përzgjedhur 3-4 emra më të përshtatshëm si kandidatura që do t’i propozohen Kuvendit si Avokat i Popullit.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur mungon një dialog i përshtatshëm mes palëve politike, pasi për të zgjedhur Avokatin e Popullit nevojiten 84 vota, të cilat socialistët nuk i kanë në dispozicion.
Aktualisht, institucioni i Avokatit të Popullit drejtohet nga Erinda Ballanca, e cila u propozua nga opozita dhe i ka përfunduar mandati. Megjithatë, pyetja që ngrihet është se a do të vazhdojë kjo traditë edhe këtë herë, ku një kandidat i propozuar nga opozita do të zgjidhet në këtë institucion kushtetues?
Gara ka nisur tashmë dhe mësohet se deri më tani, Av. Edison Frangu, është i vetmi kandidat që ka marrë firmat vetëm nga deputetët e opozitës. Burime bëjnë me dije se ka arritur të mbledhë 35 firma deputetësh ku përfshihen të dy fraksionet e Partisë Demokratike por edhe deputete të tjerë të opozitës, duke e bërë atë një figure konsensuale brënda opozitës.
Av. Edison Frangu ka mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Ai ka pasur përvojë si Këshilltar dhe Ekspert i disa Kryetarëve të Bashkive të Shqipërisë, si dhe si pedagog në disa universitete, Themelues edhe Drejtor Ekzekutiv i Open Gov Hub Albania, President i Initiative Group Alpbach Albania – Anëtare e European Forum Alpbach me seli në Vienë si dhe Drejtor Ekzekutiv i Ëalk Together.
Av. Edison Frangu ka një përvojë të gjatë në punë që lidhet me të drejtat e njeriut, që është fokusi kryesor i detyrës së Avokatit të Popullit. Ai ka punuar dhe shërbyer në disa nga organizatat më të mira në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europë, me fokus në qeverisjen e mirë, transparencën, llogaridhënien, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat e njeriut. Një prej tyre është Open Gov Hub, ku ai ka qenë ndihmës i Drejtoreshës së Open Gov Hub në Ëashington DC, SHBA. Ai ka qenë pjesë e programit Atlas Corps me bursë të plotë, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Departamenti i Shtetit.
Drejtoresha e këtij programi ka drejtuar një letër rekomandimi për Parlamentin shqiptar, duke shprehur mbështetjen për Frangun në kandidimin e tij për postin e Avokatit të Popullit.
Parlamenti shqiptar ka marrë gjithashtu edhe rekomandime të tjera nga Instituti Robert Schumman, Open Government Partnership dhe institucione të tjera ndërkombëtare dhe vendase, që kërkojnë mbeshtetjen e deputetëve për kandidaturën e Av. Edison Frangut.
Në listën e kandidatëve të cilët kanë arritur të sigurojnë firma të deputetëve opozitarë janë Alket Jaupi me profesion avokat, Besim Ndregjonaj. Ndërsa bien në sy edhe emrat e Vitore Tushës ish kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Ilir Rusmajli anëtarë i KAS, Lefteri Luzi ish kryetare e KQZ, etj.