Bllokimi politik për themelimin e Kuvendit ka hyrë në një fazë të re, pasi Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që seanca të rinisë më 12 gusht, pavarësisht se palët nuk kanë arritur ende një marrëveshje.
Kërkesa i është dërguar Avni Deharit, i cili drejton seancën si deputeti më i moshuar i Kuvendit. Më parë, ai kishte deklaruar se seanca nuk do të vazhdojë pa një marrëveshje politike.
Të lidhura
None found
Këto zhvillime vijnë pasi ka përfunduar afati 30-ditor kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ndërsa partitë vijojnë të jenë në mospajtim për ndërtimin e institucioneve të reja.
“Seanca e radhës do të thirret vetëm pasi të arrihet një marrëveshje për tejkalimin e krizës. Pa të, nuk ka kuptim të mblidhemi thjesht për formalitet”, ka theksuar Dehari.
Një qëndrim të ngjashëm, që thekson domosdoshmërinë e një marrëveshjeje, ka mbajtur edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Megjithatë, PDK-ja ka njoftuar se deputetët e saj do të paraqiten të mërkurën në orën 11:00 në sallën e Kuvendit, pavarësisht nëse Dehari e thërret apo jo seancën.
Ajo u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe përfaqësuesve të zgjedhur që të marrin pjesë.
“Detyrimi për përmbylljen e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa shtesë”, citohet në njoftimin e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës deklaroi më 11 gusht se moskonstituimi i Kuvendit dhe ndërprerja e seancës përbëjnë një “sulm të drejtpërdrejtë” kundër rendit kushtetues.
“Kushtetuta nuk është rekomandim. Vendimet gjyqësore nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për ata që janë në pushtet”, shkroi PDK-ja në Facebook, duke paralajmëruar se do ta mbrojë rendin kushtetues “me çdo mjet”.
Një ditë më parë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kishte paralajmëruar “një varg veprimesh ligjore, politike dhe demokratike” për të kundërshtuar atë që ai e quajti degradim të institucioneve. PDK-ja ende nuk ka dhënë detaje se në çfarë do të konsistonin këto hapa.
Ndërkohë, brenda radhëve të PDK-së janë dëgjuar edhe zëra që propozojnë një rrugë tjetër politike për tejkalimin e ngërçit.
Deputeti Rrustem Mustafa u ka bërë thirrje drejtuesve të PDK-së dhe LVV-së që të takohen dhe të shqyrtojnë mundësinë e një koalicioni mes dy forcave më të mëdha politike në vend.
Sipas tij, përballë mungesës së një Kuvendi dhe Qeverie funksionale, “koalicionet e mëdha” janë një “domosdoshmëri shtetërore”, duke sjellë si shembull koalicionin e dikurshëm PDK-LDK.
“Unë nuk po ju kërkoj të harroni të shkuarën. Po ju kërkoj të mos lejoni që e kaluara t’ju mbajë peng të së ardhmes. Nuk kemi kohë për inate, as për hakmarrje dhe as për ‘nëse’ apo ‘por'”, ka deklaruar ai.
Edhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese. LDK-ja është e vetmja parti opozitare që ka zhvilluar disa takime me Vetëvendosjen për një marrëveshje të mundshme.
Pika qendrore e mosmarrëveshjes mbetet zgjedhja e presidentit të ri. Kurti ka insistuar që palët të bien dakord për një kandidat konsensual dhe jopartiak, ndërsa LDK-ja ka kërkuar që posti i presidentit t’i takojë asaj, duke argumentuar se kandidat konsensual mund të quhet ai që arrin të sigurojë 80 votat e nevojshme në Kuvend. Palët janë takuar disa herë gjatë gushtit, por pa arritur ende marrëveshje.
Nga ana tjetër, Aleanca ka refuzuar takimet me Kurtin. Kjo parti ka këmbëngulur vazhdimisht në respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin institucional.
Më 8 gusht, deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë vijimit të seancës konstituive, e cila kishte filluar më 6 gusht.
Analisti politik, Dritëro Arifi, thotë se përgjegjësia për të ushtruar presion politik në rrethanat aktuale i takon opozitës. Sipas tij, ajo nuk ka arritur të ndërtojë një qasje të përbashkët përballë krizës. “Fatkeqësisht, opozita është jashtëzakonisht e ndarë dhe e fragmentuar. Ajo nuk ka një fokus të përbashkët”, thekson Arifi, duke shtuar se nevojiten veprime më konkrete, përfshirë “alarmimin e të gjitha institucioneve në mbrojtje të demokracisë”.
“Mendoj se duhen veprime politike të fuqishme, jo thjesht deklarata për mediat”, deklaron Arifi. Ai e sheh gjendjen aktuale si pasojë të shkeljes së qëllimshme të rregullave kushtetuese nga ana e pushtetit. “Tolerimi i shkeljes së Kushtetutës është një sinjal. Sinjalizohet gjithashtu krijimi i një kulture të re ku ligjet aktuale nuk vlejnë për ne, dhe kjo e ndërton tërësisht narrativën e Lëvizjes Vetëvendosje se Kushtetuta është e parëndësishme”, thotë ai.
Në mungesë të një marrëveshjeje politike, zgjedhjet e reja po qarkullojnë si një nga mundësitë për dalje nga kriza. Arifi pajtohet se vendi mund të përfundojë sërish në zgjedhje, por thekson se fillimisht duhet të ketë përgjegjësi për shkeljet e kryera.
“Sigurisht që duhet të shkojmë në zgjedhje, por unë mendoj se pa u sanksionuar shkeljet e rënda kushtetuese, do të ishte e palogjikshme të shkojmë në zgjedhje”, thotë ai.
Ai paralajmëron se vazhdimi i bllokimit mund ta thellojë edhe më tej krizën institucionale në muajt e ardhshëm.
“Kemi hyrë në javën e dytë të gushtit dhe, nëse nuk ndërmerren masa dhe veprime serioze, tetori afrohet shumë shpejt. Aktualisht jemi vetëm në fillim të problemeve“, thotë Arifi.
Më 4 tetor mbushen gjashtë muaj që kur Albulena Haxhiu mori detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit më 4 prill. Kushtetuta e Kosovës përcakton se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të mbahet për më shumë se gjashtë muaj.
Megjithatë, ajo nuk specifikon se kush do t’i ushtronte kompetencat presidenciale nëse kjo periudhë mbaron pa u zgjedhur presidenti i ri. Kjo çështje është ngritur edhe nga ekspertë të së drejtës kushtetuese si një vakum i mundshëm ligjor. Në qoftë se deri atëherë Kuvendi vazhdon të jetë i pakonstituuar, Kosova do të ndeshej njëkohësisht me mungesën e një Kuvendi funksional dhe me mbarimin e afatit gjashtëmujor të ushtrimit të detyrës së presidentit.
