Ngadalësohet ritmi ekonomik, Kina ndalon publikimin e shkallës së papunësisë te të rinjtë

Kina e ka ndaluar publikimin e të dhënave për shkallën e papunësisë te të rinjtë, dhe diçka e tillë është parë si indikacion për ngadalësim të ritmit ekonomik.

Një zëdhënës qeveritar ka thënë se vendimi është bërë për shkak të disa ndryshimeve në ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe shoqërinë e saj.

Në qershor, shkalla e papunësisë së Kinës për grup-moshën 16-24 vjeç ka prekur rekord prej mbi 20 për qind.

Banka Qendrore e Kinës ka marrë, po ashtu, vendim që të zvogëlojë koston e huadhënies, në tentim e sipër për ta rritur qarkullimin ekonomik.

Të dhënat zyrtare, të publikuara të martën, kanë treguar se shkalla e papunësisë në Kinë është rritur në 5.3 për qind në korrik.

Mospublikimi i të dhënave për të rinjtë ka nxitur menjëherë reagime në rrjetin social kinez, Weibo.

“Mbyllja e gojës dhe syve, a ndihmon njëmend në zgjidhje të problemeve? Me punësim fleksibil, punësim të vogël dhe punësim të pavarur, nëse punoni vetëm për një orë, nënkupton që nuk jeni i punësuar. Mos i trajtoni me seriozitet statistikat e Byrosë së Statistikave”, ka thënë një përdorues i platformës.

Vendimi i Qeverisë kineze ka ardhur pas raportimeve se rimëkëmbja ekonomike në Kinë, pas pandemisë së koronavirusit, është e ngadalshme.

Për koronavirusin është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.


Shtuar 15.08.2023 16:07