Më poshtë albeu.com ju ka sjellë një përmbledhje të zhvillimeve kryesore sot, në ditën e 14 të pushtimit rus të Ukrainës.
Një spital për fëmijë dhe maternitet në qytetin port juglindor të Mariupolit thuhet se u godit nga një sulm ajror rus; të paktën 17 persona janë plagosur.
Banorët e qytetit thuhet se nuk kanë akses në ushqim, ujë, energji elektrike apo gaz. Janë hapur varreza masive për të vdekurit.
Bombardimi i spitalit ka shkaktuar dënime të forta nga shumë kënde, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Vatikanin.
Në një konferencë të përbashkët shtypi, ministrat e jashtëm të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe i rezistuan përsëri lutjeve ukrainase për një zonë ndalim-fluturimi, duke thënë se “qëllimi i tyre është t’i japin fund luftës, jo ta zgjerojnë atë”.
Më shumë se 500 ukrainas kanë vdekur dhe mbi 900 janë plagosur, sipas vlerësimeve të fundit nga zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.
SHBA-ja ka refuzuar propozimin e Polonisë për të transferuar avionët e saj luftarakë në Ukrainë përmes një baze ajrore amerikane në Evropë, duke e cilësuar atë si “rrezik të lartë”.
Ushtria britanike thotë se një numër i vogël i ushtarëve të saj nuk i janë bindur urdhrave dhe kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë./albeu.com