Pas 3 muajsh foltore në të gjithë Shqipërinë, Sali Berisha sot mblodhi në Kuvendin Kombëtar gati 4932 delegatë, shifër ende e pakonfirmuar zyrtarisht, duke shënuar më shumë se 64% të delegatëve.
Shkallët e stadiumit në “Air Albania” janë mbushur me delegatë dhe mbështeteës të ish-kryeministrit Berisha të cilët i janë bashkuar këtij të fundit për ndryshimet që ai ka premtuar brenda Partisë.
Në radhët e demokratëve ka edhe emra të njohur të PD ndër vite për kontributin e tyre brenda partisë Tritan Shehu, Agron Shehaj, Oerd Bylykbashi, Julian Deda, Floriana Garo, Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi etj.
Rikujtojmë se foltorja dhe Kuvendi Kombëtar u iniciua menjëherë pas shkarkimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD, vendim i cili erdhi pas shpalljes “non-grata” nga SHBA.
Aktualisht Berisha ka mbledhur numrin e mjaftueshëm për të bërë ndryshime në status dhe për të rrëzuar Lulzim Bashën nga kreu I PD, pasi ka mbledhur të paktën mbi 64 % të delegatëve.
Nuk dihen akoma vendimet që do të marrë zyrtarisht ky Kuvend i cili deri më tani nuk ka shfaqur incidente, por Berisha nënkuptoi se Selia blu tashmë është e tyre.
Deklarata e Berishës para nisjes së Kuvendit Kombëtar:
E jashtëzakonshme dita, në historinë e demokracisë shqiptare kjo shënon një nga ngjarjet më të mëdha. Kjo shënon mrekullinë e dytë më të madhe në historinë e lirisë së këtij kombi, triumfi i revolucionit paqësor në momentet më dramatike të vendit.
Asgjë, siç e shihni nuk pengoi dhe nuk pengon djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e lirisë për t’u bashkuar sot në rithemelimin e PD dhe të pluralizmit shqiptar.
Mesazh më i bukur, më i madh, më i fuqishëm që i dërgojnë sot shqiptarëve në mbarë vendin, jashtë dhe në diasporë. Iu dërgojnë mesazh miqve tanë. Besoj se ai është prej kohësh (Basha) një i pakallur, por Kuvendi merr vendimet e veta.
Mesazhet janë histori turpi dhe morën përgjigjen më të shkëlqyer nga demokratët dhe nga më të mirët e shqiptarëve. Mirupafshim! Ata që s’kanë mend nuk i bind dot. Është i ftuar në Kuvend. Selia është e PD-së. /albeu.com/