Vitin e kaluar, numri i krerëve në të gjitha kategoritë e bagëtive të qumështit shënoi rënie. Krerët e gjedhit u reduktuan me gati 12% në krahasim me 2021, delet me 2.7% dhe dhitë, me 6%. Rënia më e fortë është në Fier dhe Tiranë. Kostot e larta dhe mungesa e subvencioneve orientuan blegtorët e vegjël drejt serrave në Fier dhe Lushnjë, ndërsa në Veri, drejt koshereve të bletëve. Nga ana tjetër, çmimet e larta të mishit dhe bulmetit po rrisin këtë vit kërkesën për investime në stalla. Në tregje nuk gjenden kafshë për qumësht, kurse importet në këtë kategori u rritën më 2023. Aplikimet te programet e IPARD po rriten me shpejtësi, por investimet pa orientim në blegtori rrezikojnë të kthehen në flluskë, si ajo e vitit 2014
Nga Blerina Hoxha
Bujqësia shqiptare vuan nga mungesa e organizimit, planifikimit dhe orientimit. Fermerët i përqendrojnë investimet e tyre në ferma kafshësh dhe bimësh, nisur nga çmimet e tregut se sa nga nevojat ushqimore të vendit që në shtetet e zhvilluara, por edhe në rajon, mbështeten dhe subvencionohen nga qeveritë.
Orientimi nga tregu i mbjelljeve sjell luhatje të fitimeve, duke bërë që fermerët shpesh të zhvendosin investimet brenda sektorit të bujqësisë në linja që sjellin më shumë të ardhura. Përvoja ka treguar se, zhvendosjet masive në kultivarë ose kafshë që sjellin fitime në një vit, çojnë në mbiprodhim dhe krijojnë flluska e më pas falimente në vitet e mëpasshme.
Nga kjo skemë, aktualisht po goditet sektori i blegtorisë. Rritja e jashtëzakonshme e kostove në fermat e kafshëve vitet e fundit dhe nga ana tjetër, reduktimi i popullsisë rurale ka zhvendosur një pjesë të investimeve nga blegtoria drejt kultivimit të perimeve në serra në zonat me bujqësi intensive në Lushnjë, Fier dhe Berat.
Në Veri të vendit, familjet po shesin bagëtitë dhe po merren me koshere, pasi mjalti kushton më shumë dhe ka më pak lodhje dhe kosto. Sektori i blegtorisë është dega e dytë kryesore e bujqësisë që po pëson rënie të thellë nga viti në vit, si në numër krerësh, edhe në prodhimin e nënprodukteve mish dhe qumësht.
Vitin e kaluar, numri i krerëve në të gjitha kategoritë e bagëtive të qumështit shënoi rënie. Në numër krerësh, gjedhi shënoi rënie me gati 12% në krahasim me 2021; delet, me 2.7% dhe dhitë, me 6%.
Tkurrja më e fortë e krerëve në stalla vitin e kaluar është në Fier me 34%. Qarku me numrin më të madh të krerëve të gjedhit, me rreth 12% të totalit, pësoi edhe tkurrjen më të fortë.
INSTAT raportoi se në Fier numëroheshin rreth 39 mijë krerë vitin e kaluar nga mbi 58 mijë krerë në vitin 2021.
Në vitin 2022 ishin 20 mijë krerë më pak. Qarku i dytë me rënien më të madhe të numrit të krerëve ishte Tirana, me rënie vjetore 27% në vitin 2022.
Ervin Resuli, ekspert në sektorin e blegtorisë, i cili mbarështon një fermë mesatare me gjedhë në Qarkun e Fierit, thotë se shumë blegtorë shitën dhe therën kafshët vitet e fundit dhe investuan në serra.
Ndërsa Kujtim Buçpapaj, ekonomit i njohur në Tropojë dhe bletërritës, thotë se, shumë fermerë që më parë mbarështonin kafshë, tani po merren me bletari. Çmimi i lartë i mjaltit po tërheq shumë fermerë që më parë merreshin me aktivitete të tjera.
Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, thotë se, rritja e çmimeve të bulmetit në tregje do të rrisë investimet në fermat blegtorale.
Ai theksoi se prodhimi në sektorin e blegtorisë si në mish dhe në bulmet do të përmirësohet nga përqendrimi i investimeve në stallat e mëdha në shumë krerë.
Sektori i blegtorisë aktualisht vuan nga shumë faktorë kompleks që po çojnë në braktisjen masive të tij. Së pari është reduktimi i popullsisë në zonat rurale të vendit që çon automatikisht në rënien e krerëve.
Së dyti, kostot e larta nga rritja e çmimeve të ushqimit për kafshë me gati 80% pas luftës në Ukrainë, po sjellin braktisjen e mbarështimit të kafshëve. Ndërkohë, degë të tjera të bujqësisë, si serrat dhe kosheret po tërheqin investimet nga blegtoria.
Braktisen stallat, blegtorët diversifikohen në serra dhe koshere
Njësitë administrative të Sukut, Strumit, Samaticës, Goriçanit dikur mbarështonin gati 40% të bagëtive në Qarkun e Beratit dhe Fierit. Prandaj në këto zona u ngritën fabrikat më të mëdha të përpunimit të qumështit në vend “Lufra” dhe “Erzeni”.
Aktualisht zonat në fjalë zotërojnë jo më shumë se 1% të numrit të krerëve në qarqet përkatëse, për shkak se shumë blegtorë braktisën stallat dhe çuan investimet drejt serrave.
Për 1 hektar serrë, të ardhurat arrijnë mesatarisht 40 mijë euro në vit, ndërsa për një lopë, duhet 1 hektar dhe fitohet 1000 euro në vit, analizon z. Resuli. Ai tha se fermerët e kanë kuptuar që serra të jep 2-3 mbjellje në vit, që edhe nëse humbet në një kultivar, fiton te një tjetër.
Kjo është arsyeja që në zonat ku serrat kanë përhapje masive, numri i bagëtive ka shënuar rënie drastike. Përmirësimi i zinxhirëve të eksportit për prodhimet e serrave i ka bërë më të sigurta shitjet, teksa prodhimet blegtorale varen tërësisht nga tregu i brendshëm, pasi eksportet nuk janë të lejuara në tregjet e BE-së.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, gjatë vitit 2022, rënia më e madhe vjetore e bagëtive të gjedhit, që janë edhe prodhuesit kryesorë të qumështit dhe bulmetit ishte më e lartë ishte në Belsh me 56%, Mallakastër 55%, në Vorë 52%, Lushnjë 46%, Shijak 45%. Rënie 20-30% në një vit të krerëve të gjedhit kishte edhe në bashkitë e Roskovecit, Divjakës, Fierit, Cërrikut, Rrogozhinës, Kamzës, Kavajës, Tiranës, Kukësit etj.
Vitin e kaluar, sipërfaqja e serra u zgjerua me rreth 6%, por efektet e zhvendosjes në serra do të ndihen në vitin 2023, pasi rritja e çmimeve të perimeve në tregjet ndërkombëtare pas luftës në Ukrainë nxitën mbjelljet në serra.
Agim Rrapaj, nga Këshilli i Agrobiznesit pohoi se, rënia e numrit të krerëve vitin e kaluar u nxit nga rritja e kostove që krijoi lufta në Ukrainë dhe blegtorët asgjësuan numrin e krerëve për të përballuar krizën, por kjo ishte zgjidhja më e gabuar që ata bënë, – tha ai.
Në Veri, blegtorët po shesin lopët dhe po blejnë koshere. P.sh., në zonën e Tropojës, krerët e gjedhit kanë rënë me 35% në pesë vitet e fundit, por numri i koshereve të bletëve po rritet me shpejtësi.
Vitin e kaluar, në Bashkinë e Tropojës u numëruan 19,569 koshere me bletë, në rritje me 22% nga viti 2021 dhe 166% nga viti 2018. Mbarështimi i bletëve po nxitet nga çmimi i lartë i mjaltit të gështenjës, karakteristik për zonën.
Një kilogram mjaltë i gështenjës kushton 2,250 lekë dhe sipas blegtorëve është shumë më tepër fitimprurës për bagëtitë e gjalla, edhe pse bletaria është një punë me rrezik dhe kërkon njohuri të thelluara. Gëzim Kapiti, i cili ka një fermë me mbi 120 koshere blete, thotë se ardhurat vjetore janë të kënaqshme dhe shumë më të larta se ato të bagëtive.
Bleta, sipas tij, kërkon përkushtim dhe vëmendje, por jo lodhje fizike, teksa kontratat për shitjen e mjaltit sigurohen paraprakisht. Pavarësisht se edhe prodhimi i mjaltit ka luhatje me sezone, kërkesa për prodhimet e Tropojës është e lartë dhe çmimi gjithashtu ka shënuar rritje të shpejtë nga viti në vit.
Në disa bashki, numri i koshereve është trefishuar brenda vitit. INSTAT raportoi se në Delvinë, numri i koshereve shënoi rritje vjetore me 366% më 2022, në Vlorë me 293%, Konispol 205%, Sarandë 181%, Selenicë 179%, Himarë 174%, Fier 96%. Gati në gjysmën e bashkive, numri i koshereve u rrit me ritme dyshifrore më 2022.
Bletët nuk kërkojnë shumë lodhje fizike, përveç rasteve kur zhvendosen në kullota, por kërkojnë më shumë njohuri për mënyrën e trajtimit të sëmundjeve etj. Kujtimi, bletërritës në Tropojë, thotë se kjo punë në të shumtën e rasteve bëhet edhe nga pensionistë dhe mbi të gjitha, të jep edhe kënaqësi edhe fitime.
Rritja e çmimeve të bulmetit rrezikon të çojë në mbi investime në blegtori
Rritja e çmimeve të bulmetrave nga 50-100% në disa artikuj vitin e fundit i ka bërë investimet në ferma tërheqëse. Blegtorët po shesin një litër qumësht dele aktualisht me 160 lekë, nga 70 lekë në vitin 2021, teksa qumështi i lopës shitet 90-100 lekë, gati dyfish që nga viti 2021.
Ekspertët e sektorit pohojnë se rritja e çmimeve të produkteve blegtorale po nxit investimet në blegtori. Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se aplikimet për fondet e IPARD janë rritur ndjeshëm, teksa në tregje nuk gjen më kafshë qumështi në shitje.
Me rritjen e çmimit të qumështit, të gjithë blegtorët që i therën kafshët, tani po kërkojnë t’i zëvendësojnë. Të dhënat zyrtare nga Doganat tregojnë se në janar-maj 2023, importet e kafshëve të gjalla u rritën me 6%.
Eksperti Resuli thotë se në zonën e Fierit janë duke kërkuar të gjithë të investojnë në stalla, por nuk ka kafshë qumështi në treg.
Edhe tregjet e Europës janë në vështirësi për bagëti qumështi, pasi të gjitha vendet reduktuan numrin e kafshëve, pas luftës në Ukrainë prej çmimeve të larta të ushqimit. Mirëpo vërshimi te stallat pa orientim mund të rrisë prodhimin si dhe çmimet dhe të krijojë një situatë të ngjashme si në vitin 2014.
Fermat blegtorale, që pas krizës së vitit 2008, u panë një zgjidhje e mirë për diversifikimin e investimeve për disa biznese, që tradicionalisht ishin të lidhura me aktivitetin e ndërtimit dhe tregtisë, rezultuan një zhgënjim.
Fermat e mëdha që u krijuan nga biznese që nuk kishin lidhje organike me bujqësinë dhe blegtorinë falimentuan, për shkak të kostove të larta nga mungesa e ekonomisë së shkallës.
Nga 16 fermat e mëdha të gjedhit që u krijuan në vitin 2014 vetëm 4 prej tyre janë me të njëjtët pronarë më 2018, teksa të tjerat u shitën ose falimentuan. Zinxhirit, i cili do të mund të siguronte suksesin në blegtori, i mungon hallka kryesore, lënda e parë që, në këtë rast, është ushqimi për bagëtitë.
Copëzimi i tokës nuk po i lejon blegtorët të kenë në zotërim sipërfaqe të mëdha, ose të lidhin kontrata për sigurimin në vend të bazës ushqimore.
Për pasojë, fermat me më shumë se 60-70 krerë lopë, ose me mbi 200 dele, do të duhet të importojnë ushqimin. Të dhënat nga bilancet e fermave të mëdha tregojnë se 84% e të ardhurave shkojnë për blerjen e bazës ushqimore.
Politika e subvencionit redukton fermat e vogla
Vitin e kaluar, financimet nga skema kombëtare ishin 1,5 miliardë lekë nga rreth 1 miliard lekë në vitin 2021. Rreth 6,211 blegtorë, përfituan nga Skema e Mbështetjes, për vitin 2022, kundrejt 4 316 blegtorëve që përfituan në vitin 2021.
Skema Kombëtare, që aplikohet nga AZHBR, mbështet fermat mbi 100 krerë dele dhe/ose dhi, shkon në vlerën 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt. Ndërsa për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë, mbështetja është në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt.
Ndërsa fondet nga skemat IPARD po kanalizohen në fermat e mëdha me qindra krerë. Kjo politikë në nxitjen e blegtorisë së stallave të mëdha e shembi themelin e bujqësisë shqiptare, që është i riorganizuar në ferma të vogla me 2-5 krerë.
Luan Çela, i cili mbarështon një fermë me 10 lopë në Qarkun e Fierit, thotë se u bënë vite që punon me sezone në Itali dhe Greqi për të mbuluar shpenzimet për ushqimin e kafshëve. Luani nuk merr mbështetje, teksa vitin e kaluar reduktoi numrin e lopëve nga çmimet e larta të ushqimit.
Ndoc Fasllia, ekspert i njohur i bujqësisë, pohoi se 70% e blegtorisë është e organizuar në ferma të vogla dhe automatikisht është përjashtuar nga subvencionet. Ndërsa fondet për fermat e mëdha shpesh i fitojnë persona që nuk kanë njohuritë e mjaftueshme për kafshët.
Ministria e Bujqësisë ka një plan të gjerë zhvillimi, që synon të nxisë infrastrukturën në fshat, duke stimuluar fermat e vogla që nga profesioni i çobanit, veterineri, ndërtimi i staneve dhe baxhove të vogla. Ky lloj zhvillimi, i cili do të mbështetet nga fondet e brendshme synon të mbështesë fermat e vogla me 10 krerë lopë, thanë burimet zyrtare nga Dikasteri i Bujqësisë.
Sipas tyre, sektori i blegtorisë po konsolidohet, pasi fermat e vogla po tkurren dhe po rriten fermat e mëdha të kafshëve me 50 deri në 300 krerë. Për fermerët e mëdhenj, Ministria e Bujqësisë po mbështet ata me fondet e Bashkimit Europian nga skema IPARD me të cilat synohen që të mëdhenjtë të mbështeten me qëllim që të jenë faktor në treg.
Me skemat e IPARD synohet që fermat e mëdha blegtorale të arrijnë standardet e BE-së në konkurrueshmëri. Lejet për ndërtimin e stallave nuk do të lëshohen më nga pushteti lokal, por nga Ministria e Bujqësisë, pasi numërohen shumë raste kur pushteti vendor ka penguar investimet në stallat e kafshëve.
Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, pohuan se një pjesë e blegtorëve që kishin një numër të imtash, e kanë braktisur fshatin.
Braktisja e fshatit, një arsye tjetër
Fragmentimi i tokës, kostot e larta të ushqimit, por më kryesorja, braktisja e fshatit po çojnë në rënie të shpejtë të numrit të bagëtive në vendin tonë.
Në vitin 2022, numri i kafshëve të gjalla shënoi rënie me mbi 8%, ndërsa në raport me vitin 2004, numri i tyre u përgjysmua. Ministria e Bujqësisë ka analizuar se tkurrja po ndodh në fermat e vogla familjare me 2-5 krerë. Braktisja e fshatit dhe plakja e popullsisë po tkurr me shpejtësi fermat e vogla.
Burimet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë pohuan se sektori i blegtorisë po shkon drejt konsolidimit nga ferma të vogla dhe të mesme në ato të mëdha. Ekspertët në qarqet e vendit pohojnë se, numri i bagëtive ka pësuar tkurrje më të madhe se në shifrat zyrtare.
P.sh., në zonën e Maqellarës, deri para pesë vitesh, kishte mbi 350 krerë gjedh, tani nuk janë as 50, thotë Lahim Kosiqi, i cili më herët ka qenë i angazhuar me politikat blegtorale në qark.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, numri i fermave që mbarështojnë më shumë se 5 lopë është reduktuar nga 4,250 (në vitin 2015) në më pak se 2800 në vitin 2020, duke konfirmuar vështirësitë e fermerëve me rritjen e kostove të inputeve dhe ushqimit, koston e lartë të punimit të tokës dhe çmimin e ulët të qumështit.
Në zonat rurale të vendit, popullsia po plaket me shpejtësi dhe banorët janë duke i shitur bagëtitë, pasi nuk kujdesen dot për to.
Nga ana tjetër, vendi po përballet me kërkesë në rritje për prodhime vendase, si në mish dhe bulmet nga zhvillimet pozitive në turizëm. Fermerët thonë se reduktimi i numrit të krerëve ka qenë i lartë edhe në vitin 2022, për shkak se kostot e larta të ushqimit e theksuan më shumë mungesën e aftësisë për mbajtur kafshët.
Rënia e blegtorisë shtrenjton produktet e shportës
Bulmetrat ishin produktet me rritjen më të lartë të çmimeve që nga fundi i vitit 2021. Rënia e prodhimit të qumështit me nga 5-6% çdo vit ka sjellë mungesë prodhimi në të gjitha nënproduktet si gjalpi, djathi dhe kosi.
Për këtë arsye, vitin e kaluar, Shqipëria u rendit nga Eurostat si një ndër vendet me çmimet më të larta të bulmetit në Europë. Çmimet e bulmetit dhe vezëve në Shqipëri ishin sa 111.7% e mesatares së vendeve të Bashkimit Europian, ose e thëne ndryshe, nëse 1 kilogram nga këto produkte në BE kushton mesatarisht 100 lekë, në Shqipëri kushtoi 111.7 lekë me 2022.
Shqipëria u rendit në mesin e 14 vendeve europiane me çmimin më të lartë të bulmetit vitin e kaluar.
Tre vitet e fundit, në shumë vende të Europës, çmimet shënuan rënie në krahasim me mesataren e BE-së, por në Shqipëri, kishte rritje. Më 2020, çmimi i bulmetit dhe vezëve në vendin tonë ishte sa 105% e mesatares se BE-së, por në dy vitet e mëvonshme, u rrit edhe me 6.8 pikë përqindje.
Të dhëna të detajuara nga Eurostat tregojnë se në vitin 2022, çmimet më të lira për bulmetin dhe vezët në raport me mesataren e BE-së ishin në Poloni me 75%. E dyta renditej Maqedonia e Veriut me 82.2%, Bosnja, 90.1%, Franca me 90.3, Turqia me 94.7%.
Shqipëria është vendi më bujqësor i Europës, për shkak të madhësisë së sektorit në ekonomi (rreth 20% e PBB-së me 2021) dhe kontributit në punësim, por nga ana tjetër ka ndër çmimet më të larta të bulmetit në Europë.
Si rrjedhojë e çmimeve të larta, shpenzimet për frymë të shqiptarëve për konsumin e bulmetit dhe vezëve u rritën ndjeshëm në vitin 2022, duke arritur në 324 euro për banorë në vit.
Nga viti 2019 deri në vitin 2022, shpenzimet e shqiptarëve për bulmet dhe vezë u rritën me 30.6%, sipas të dhënave të Eurostat. Bulmeti dhe vezët janë produkti kryesor i shportës së mallrave, me rëndësi të madhe në procesin ushqyerjes të rekomanduara për konsum të përditshëm në të gjithë grupmoshat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Çmimet e larta të këtyre produkteve, përveçse rëndojnë kostot e jetesës, rrezikojnë seriozisht shëndetin e popullatës që nuk mund të përballojë financiarisht blerjen e përditshme të tyre.
Industria vendase e përpunimit të qumështit po vuan rritjen e kostove dhe rënien e numrit të bagëtive, duke ndikuar në rritjen e çmimeve, duke e bërë atë jokonkurruese dhe duke favorizuar importet.
Më të njëjtën vështirësi po ndeshet edhe tregu i mishit. Rënia e bagëtive ka sjellë mungesa në furnizimin e tregut me mish vendi, teksa kërkesa po rritet nga turistët. Që nga vera e kaluar, çmimi i një kilogrami mish viçi është rritur me 20% në tregjet e pakicës në vend.
Njësitë e agroturizmit pohojnë se mishi është një element bazë i traditës shqiptare. Mishi është baza e kuzhinës tradicionale shqiptare për të cilën turistët janë të interesuar. Kostoja e këtij produkti është rritur ndjeshëm, por ndërkohë në treg ka mungesa”, – thotë Altin Prenga, nga “Mrizi i Zanave”.
Rritet importi i mishit dhe bulmetrave
Për shkak të çmimeve të larta dhe shpesh cilësisë së dyshimtë, importi i bulmetrave është rritur dukshëm. Në dy vitet e fundit, importet e produkteve ushqimore në sasi pësuan ulje në të gjitha produktet, përveç bulmetit dhe mishit.
Të dhënat e INSTAT treguan se në janar-maj 2023 u importuan rreth 30 milionë euro mish, me rritje 19% në raport me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Importet e këtij grupi shënuan rritje edhe në sasi, me rreth 15%, në të njëjtën periudhë krahasimi.
Për të njëjtat arsye, janë rritur edhe importet e bulmetrave. Gjatë 5-mujorit të parë 2023, sasia e importeve të bulmetit u rrit me rreth 20%. Gjithsej u importuan 12 mijë tonë bulmet dhe vezë nga 10 mijë tonë më 2022.
Nga ana tjetër, importet e drithërave, sheqernave, vajit shënuan vijuan rënien si në vlerë dhe në sasi, gjatë 5-mujorit. Sheqernat në sasi shënuan rënie vjetore me 36% në janar-maj 2023, vajrat vegjetale pësuam rënie me 28% dhe drithërat, me 11%.
Fragmentimi i tokës, kostot e larta të ushqimit, por më kryesorja, braktisja e fshatit, po sjellin, si pasojë, rënien e shpejtë të numrit të bagëtive në vendin tonë./monitor