Ishte mëngjesi i 11 marsit në rajonin lindor të Ukrainës, Dnipropetrovsk Oblast, kur një bombë ra në shtëpinë e Olena Selichzianowa-s. Duke folur në rusisht, nëna e djemve binjakë pesëvjeçarë, Nazar dhe Timur, tregon sesi ra në tokë dhe nisi të tërhiqte pranë vetes djemtë e saj për t’i mbrojtur.
Pas shpërthimit ajo nuk mban mend asgjë. Të tre u verbuan nga copat që ranë në fytyrë e u shkaktuan të prera në trup. Lëkura u ishte djegur keq, një copë xhami e vogël u fut në njërin sy të Olenës ndërsa këmba iu thye.
Pas shpërthimit familja u nxor nga rrënojat dhe u dërgua në një spital aty pranë, por plagët e tyre ishin aq të rënda sa duhej të zhvendoseshin shpejt.
Në Lviv, specialistja e syve Dr Nataliya Preys u njoftua për lëndimet e kësaj familjeje. Dr Preys i dërgoi imazhe të plagëve një profesori të saj në Poloni, profesor Robert Rejdak, në Universitetin Mjekësor të Lublinit. Ai e dinte që të tre duhej të trajtoheshin menjëherë.
“Ata kanë ardhur nga ferri”, tha profesor Rejdak për BBC.
“Nëna ishte plotësisht e verbër, vetëm zgjaste duart për të prekur fëmijët e saj. Fëmijët ishin aq të uritur dhe të lodhur kur mbërritën sa që vetëm hanin, flinin dhe qanin.”
Mjeku është prekur dukshëm teksa rrëfen takimin e tyre të parë. Më pas, ekspertiza e tij si kirurg kryesor në një nga spitalet më të mëdha të syve në Evropë merr drejtim.
“Vendosëm të operonim nënën. Bëra operacion dypalësh të kataraktit. Operacioni ishte vërtet i ndërlikuar për shkak të plagëve, për shkak të një copë xhami brenda njërit sy.” Fatmirësisht operacioni shkoi vërtet në mënyrë perfekte dhe Olena sheh pothuajse plotësisht dy ditë pas. Procesi i shërimit ka ecur mirë dhe shpresoj se do të jetë edhe më mirë, por të paktën tani ajo mund të shohë djemtë e saj.”
Rrugëtimi i djemve të vegjël drejt shërimit do të zgjasë më shumë. Një prej tyre ka humbur njërin nga sytë. Nëse ata nuk do të kishin mbërritur në Poloni në kohë, dëmet për ta mund të ishin të pariparueshme.