Nën hetim për tjetërsim pronash, Apeli i GJKKO i sekuestron Jorgo Goros një apartament

Gjykata e Posame e Apelit, ka pranuar kërkesën e SPAK, për të vënë në sekuestro preventive pasuritë e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i cili ndodhet në burg pasi akuzohet për tjetërsim pronash në bregdet.

GJKKO i ka sekuestruar një apartament me siperfaqe 81.41 m2. Kundër këtij vendimi, mund të ushtrohet rekurs nga cilido që ka interes në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.

Kujtojmë se Jorgo Goro, akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me pronën ku Artan Gaçi, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, po ndërton një investim strategjik në miliona euro.

SPAK e akuzon Goron se ka shpërdoruar detyrën në dy episode, në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij, toka u regjistrua në Kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaci, me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.

Kryebashhkiaku në detyrë i Himarës, akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë, që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhaçkës.

Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.

Goro ka deklaruar para prokurorëve, se thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Kadastrës së Vlorës pas përpilimit të dokumentacionit nga drejtoria përkatëse.

Por sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”.

Prokuroria thotë se ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie toke shtet.

Njoftimi i GJKKO:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 31.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 29, datë 26.07.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive”, dhe vendosi:

Ndryshimin e Vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, në bazë dhe për zbatim të nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale, për pasurinë numër ***, volumi ***, faqe ***, Zona Kadastrale nr. ***, lloji i pasurisë “Apartament”, sipërfaqja e përgjithshme 81.41 m2, adresa e pasurisë ***, për llogari të Procedimit Penal nr. 189, të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me veprën penale të parashikuar nga neni 257/a/II i Kodit Penal, me person nën hetim Z. J.G.

Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs nga cilido që ka interes në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e marrjes dijeni për vendimin e arsyetuar”, thuhte në njoftim.


Shtuar 31.07.2024 15:54