Ky është momenti kur Rusia i kërkon Donika Gërvallës, ministres së Jashtme kosovare të heq flamurin e Kosovës gjatë takimit virtual me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Nuk jemi kundër pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës në këtë takim, pasi kjo është edhe praktike.
Sidoqoftë kërkoj vëmendjen e vendeve anëtare të Këshillit të shohin se zonja Gërvalla është ulur pranë flamurit të Kosovës, dhe siç dihet Kosova nuk është shtet i njohur universalisht, është territor dhe tetë vendet e Këshillit të Sigurimit nuk e njohin Kosovën si shtet.
Zoti President, për të proceduar duhet ta pyesni përfaqësuesen e Kosovës të ndryshojë prapavijën, apo të largojë flamurin nga prapavija dhe do të mund të jemi të gatshëm të vazhdojmë”, deklaroi përfaqësuesi i Rusisë.
Menjëherë pas deklaratës së përfaqësuesit të Rusisë, ka reaguar edhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe.
“Zoti President, vetëm sa për të sqaruar se ky nuk është ndonjë takim formal i Këshillit… Nuk shohim ndonjë arsye që asaj t’i kërkohet të ndryshojë prapavijën e prezantimit”, është shprehur përfaqësuesi i Britanisë së Madhe.
Gjithsesi takimi vazhdoi duke mos ndryshuar asnjë gjë nga prapavija e Gërvallës.