Në gjendje të rëndë me oksigjen! Miqtë rrëfejnë bisedat e fundit me Hueyda El Saied 

Artistja Hueyda El Saied prej më shumë se një viti po luftonte me sëmundjen e kancerit të gjirit por ajo kishte zgjedhur të mos i tregonte asgjë, as miqve e të afërmve.

Miq të artistes, në një “In memorium” për të në “Ftesë në 5”, tregojnë se ky lajm i erdhi shumë i papritur. “Kisha kuptuar diçka por nuk ma merrte mendja kurrë. Në fillim kishte shpresë, por sëmundja iu përhap në trup në mënyrë agresive”, tregon koreografja Kozeta Bakiu.

Ajo shprehet se artistja ishte kujdesur që të mos i ngelte asnjë peng, ndërsa u kujdes që djali të merrte mbiemrin e bashkëshortit që ta linte në ‘duar’ të sigurta.
“Kur kisha ditëlindjen këtë vit, më solli një pikturë të sajën dhe më tha që i është rikthyer pikturës”, rrëfen Bakiu.

“Nuk kam guxuar të pyes. Na thoshte që do vinte të takoheshim. Akoma nuk më besohet që nuk është më. Është ajo vajza ndryshe, shumë dimensionale, e talentuar, show girl e para shqiptare. Në librat e saj, nuk lodhej së shkruari, aktiviste e të drejtave të njeriut, juriste në profesion. Gjithnjë e qeshur. Do të mbetet gjithmonë në mendjen time” shprehet miku i saj, gazetari Ardi Pulaj.

Miqtë thonë se Hueyda i kishte kërkuar të mblidheshin si gjithmonë, për të festuar së bashku, kur të vinte në Tiranë, takim që nuk u realizuar dhe për miqtë e saj mbetet peng… /tch


Shtuar 23.11.2021 18:48