Ndryshon udhëzimi për kontributet, përfitues të skemës edhe personat me pagesa papunësie dhe nënat me shumë fëmijë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndryshuar sërish udhëzimin “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve”.

Sipas udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtare nga skema e kontributeve, për njohje të periudhës së vjetërsisë në punë me qëllim pensioni, do të përfitojnë edhe 5 kategori të tjera, duke përfshirë gratë e papunë me 3 apo më shumë fëmijë, kujdestarët e invalidëve, të vetëpunësuarit me pension pleqërie, ata që përfitojnë përkrahje sociale dhe pagesë papunësie.

Këtyre kategorive periudha e përfitimit të pagesës së papunësisë apo ndihmës sociale do t’u njihet si vjetërsi pune, për efekt llogaritje pensioni, pra kontributet e detyrueshme të sigurimeve paguhen nga shteti.

“Në udhëzimin nr. 23, datë 9.12.2014, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, pika 10, paragrafi 10.8, “Të tjera”, bëhen shtesa, si më poshtë vijon: 1.

Pas kategorisë 33 shtohen kategoritë 34, 35, 36, 37 dhe 38 me përmbajtje, si më poshtë vijon: “- Kategoria 34. Person i papunë (grua) me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100,000 (mijë lekë në muaj); Kategoria 35. Kujdestar i personit invalid paraplegjik dhe tetraplegjik, i cili nuk është ekonomisht aktiv, si dhe nuk përfiton të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror; Kategoria 36. I vetëpunësuar i vetëm që është përfitues i pensionit të pleqërisë; Kategoria 37. Person i trajtuar me pagesë kalimtare, sipas ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar; Kategoria 38. Person i papunë që përfiton pagesë papunësie.”

Më ndryshimet e miratuara numri i përfituesve të skemës së kontributeve arrin në 37 kategori, ku pjesa më e madhe e tyre janë persona ekonomikisht aktivë në punë.

Udhëzimi për “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” ndryshoi edhe në dhjetor 2022.

Ndryshimet përfshinë përfitim nga skema e kontributeve edhe për të punësuarit që janë me raport barrë lindje ose raport mjekësor, që nuk janë ende shkëputur nga puna marrin përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore nëse nuk kanë punuar për 1 muaj dhe jo pas ditës së 14 siç parashikohej më parë dhe për ata me aftësi të kufizuara./Monitr/