Shefja e spitalit Infektiv Najada Çomo ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga profesioni i saj pavarësisht angazhimit në politikë.
Ajo është renditur e dyta në listën e PS në qarkun e Tiranës, por tha se do të vazhdojë të punojë pa shkëputje në spital edhe gjatë fushatës elektorale.
Çomo ka zbuluar gjithashtu se ka qenë votuese e Partisë Socialiste, por kryeministri Rama nuk e ka ditur kur e ka ftuar të kandidojë.
“Do vazhdoj betejën deri sa të jetë edhe pacienti i fundit me COVID-19. Nuk jam e shkëputur për ansjë çast që nga dita që jam lançuar si kandidate për deputete e PS, unë do të jem e pashkëputur.
Në spital nuk kam për të munguar, pasi fushata sot nuk është edhe shumë fizike për shkak të pandemisë. Do ta prek terrenin për fushatë pa e lëshuar kurrë spitalin.
Nuk bëhet fjalë që mund të ketë pasur menaxhim të pandemisë nga ana politike. Ne kemi punuar fort të gjithë si staf mjekësor. Është një staf shumë i madh brenda dhe jashtë territorit të spitalit Infektiv. Unë jam zgjedhur shefe e shërbimit para 2 viteve e gjysmë.
Kam garuar në bazë të një CV dhe një programi. Profesioni im nuk është politik, por shkencor dhe human. Një pandemi nuk menaxhohet vetëm nga mjekët pa suportin e qeverisë, të kryeministrit Rama dhe ministres Manastirliu. Ftesa ka qenë e papritur. Unë kam qenë votuese e zotit Rama, por ai nuk e dinte”, tha Çomo. /abcnews