“Naimi na ka prerë në besë”, flet mes dhimbjes babai i Liridonës: E ka vrarë vetëm për para

Babai i Liridonës, 30-vjeçares që u vra mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë ka folur mes lotësh për humbjen e së bijës.

Ai thotë për News 24 se për ngjarjen e rëndë u njoftua nga Naim Murseli, bashkëshorti i vajzës së tij, i cili tanimë konsiderohet si i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së të bijës.

Ai u shpreh i indinjuar duke thënë se Naimi i ka “prerë në besë” , ndërsa shtoi se ai ka dyshuar kur dhëndri i ka thënë se hajdutët i kanë kërkuar Liridonës para, por ajo ka refuzuar t’i japë.

Si e mësuat lajmin e vrasjes së vajzës?

Më lajmëroi ai Naimi, pasi e morëm vesh që ishte vrarë shkuam për të gjetur çikën se ku është. Kemi shkuar dhe Naimi na kishte prerë në besë ne. Si është puna e pyeta Naimin. Nisi të më tregonte.’ Po ecnim në rrugë dhe ka na kanë prerë rrugës. Ka thënë Liridona ndale makinën. Unë e hapa derën time. Si është kjo puna që m’u vra vajza në makinë. I thashë ‘si e lë vajzën në makinë’. Tha ‘Liridonës i kërkuan paratë dhe ajo nuk i dha’. Aty kam dyshuar unë. Policia nuk na ka kërkuar të jepnim deklaratë.

Vajza asnjëherë nuk ka treguar se ka pasur probleme me burrin. Vajza ka jetuar në Suedi dhe ka pasur sigurim dhe para të mëdha. Ky është dyshimi, për paratë e sigurimit.

Babai i Liridonës ka zbuluar gjithashtu se çifti ishte kthyer në Kosovë nga Suedia pasi Naimi kishte blerë shtëpi aty dhe i kishte kërkuar edhe të shoqes të kthehej.

Ai zbuloi se natën e vrasjes ata ishin nisur për të ngrënë darkë në Grashenicë, ndërsa rreth orës 20:00 ai është informuar për vdekjen e të bijës.

Sa i përket dyshimeve për rastin, i ati i Liridonës u shpreh se motivi i Naim Murselit ka qenë financiar, pra për të vrarë të shoqen dhe për të përfituar nga sigurimi i saj i jetës.

Pse u kthyen nga Suedia?

Babai: Naimi u kthye bleu shtëpi dhe i tha vajzës të kthehej dhe ajo. Vajza vinte me fëmijët dhe rrinte këtu me ne. Atë natë më tha se do shkonte në Grashenicë për të ngrënë darkë. Në orën 8 të darkës kam marrë lajmin se ishte vrarë vajza. Ne kemi kërkuar për zhvarrosjen e trupit të vajzës sime. Të vijë këtu në tokën e vetë, pranë babait të vetë. Naimi ka bërë krim të madh. Kush e ka bërë këtë punë e pastë gjynah këtë jetë dhe tjetrën. Kërkojmë drejtësi deri në pikën e fundit.

Cilat janë dyshimet, pse bashkëshorti i vajzës urdhëroi vrasjen e Liridonës?

Babai: Ne dyshojmë se ka pasur jetë luksi të madhe. ‘Ta vras këtë dhe t’ia marr pensionin, paratë çfarë i takojnë’, me këtë ide ka ecur Naimi. Vetëm për çështje ekonomike mund të ketë bërë. Të vrasë gruan dhe fëmijët ti leje në rrugë është gjynah i madh. Fëmijët janë në shtëpinë e Naimit. Nga ne nuk ka asnjë pengesë se ku duhet të rrijnë fëmijë.

/albeu.com


Shtuar 2.12.2023 18:26