Nafta në “pikiatë”, çmimi i arit të zi zbret në 74 Dollarë për fuçi

Bursat ndërkombëtare u hapën këtë javë me një rënie të çmimit të naftës së papërpunuar. Për dy ditë me radhë çmimi i arit të zi ka rënë me rreth 6 Dollarë, nga të cilat 2.5 vetëm në 24 orët e fundit.

Kështu në bursën e Teksasit një fuçi nafte u shit këtë të martë me 74.6 Dollarë për kontratat e Janarit, duke pësuar një rënie me afro 2.9 përqind.

Të njëjtin trend ka ndjekur edhe bursa e Lodrës ku një fuçi nafte e papërpunuar u shit me 97.5 Dollarë amerikan, duke shënuar një rënie me afro 3 përqind.

Rënie ka pësuar ditët e fundit edhe çmimi i gazit natyror i cili arriti nivelin më të ulët që nga 21 Shkurti 2022, përpara pushtimit rus të Ukrainës.

Ekspertët thonë se për rënien e çmimeve të naftës dhe gazit ka ndikuar më së shumti moti i ngrohtë i cili ka ulur kërkesën, si dhe vendimi i Kinës për të rritur me 46 përqind eksportin e saj të karburanteve gjatë 2023.

Në Shqipëri është në fuqi ende vendimi i bordit të datës 20 Dhjetor i cili ka përcaktuar që një litër naftë të shitet me 199 Lekë dhe një litër benzinë me 177 Lekë.


Shtuar 4.01.2023 16:51