Netflix ka marrë të drejtat ekskluzive televizive për transmetimin në Spanjë dhe Andorrë të Kupës së Botës 2030.
Sipas raportimit të agjencisë spanjolle EFE, të bërë gjatë ditës së sotme, e martë, platforma do të përcjellë drejtpërdrejt të 104 ndeshjet e turneut, i cili do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok.
Të lidhura
None found
Shikuesit në Spanjë nuk do të kenë nevojë të blejnë një abonim për të ndjekur çdo përballje. Në bazë të njoftimit të publikuar nga EFE, një ndeshje për çdo ditë të garës do të transmetohet falas.
Gjithashtu, Netflix do t’i vërë në dispozicion një transmetuesi kombëtar spanjoll me sinjal të hapur një paketë që përfshin të gjitha ndeshjet e Spanjës, dy gjysmëfinalet dhe finalen. Emri i televizionit përkatës do të bëhet i ditur më vonë nga Netflix.
Palët nuk kanë bërë publike shumën e marrëveshjes.
“Pak ngjarje i bashkojnë njerëzit si Kupa e Botës”, deklaroi Bela Bajaria, drejtoreshë e përmbajtjes në Netflix.
Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, e cilësoi turneun si “një edicion shumë të veçantë”.
Netflix zotëron tashmë të drejtat për Kupat e Botës për Femra të viteve 2027 dhe 2031 në SHBA dhe Kanada. Sipas The Athletic, marrëveshja për edicionin e vitit 2030 përbën kontratën e parë të platformës për Kupën e Botës për meshkuj.





