“Na ka kërcënuar me armë për vota”/ Prag zgjedhjesh, “nxehet” situata në Kukës, qytetarët denoncojnë vëllanë e Safet Gjicit

Vetëm dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale të 14 majit, me situatën në vend të tensionuar, me kandidatët e partive që akuzojnë kundërshtarët e tyre për blerje votash si edhe përfshirjen e qytetrëve në “luftën” për vota të kandidatëve.

E tillë është ngjarja që ndodhi gjatë natës në Kukës, ku banorët kanë denoncuar vëllanë e Safet Gjicit, kandidat i PS-së për bashkinë Kukës. Dy banorët e fshatit Bushat, Bedri dhe Nebi Sinamati, kanë denoncuar Lavdrim Gjicin për presion dhe dhunë deri në nxjerrjen e armës së zjarrit nga shoqëruesi i tij për çështje votash.

Sipas dy kushërinjve Sinamati ata janë kërcënuar me armë jashtë ambienteve të shtëpisë së tyre në orët e vona të mbrëmjes.

“Dolëm me automjetin tonë nga banesa dhe po shkonim tek shtëpia e kushëririt tjetër. Sapo kemi dalë në rrugën e lagjes na është bllokuar rruga nga ky automjet që shihni në pamje, në vendin e parë të mjetit dallohet qartë se është i ulur Lavdrim Gjici, vëllai i kandidati të PS-ës për Bashkinë Kukës së bashku me një përson tjetër”, thanë ata.

Burime për mediet bëjnë me dije se efektivët kanë bërë të mundur shoqërimin e mjetit tip “G-Class”me të cilin Lavdrim Gjici dhe shoqëruesi i tij ndodheshin, si dhe përsonave të përfshirë në këtë incident.

Në mbështetje të Bedri dhe Nebi Sinamati pranë ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Kukësit kanë shkuar edhe banorët e fshatit. Është dashur ndërhyrja e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Admir Sinamati, për të shtensionuar situatën./albeu.com/