Moti i keq përfshin vendin: Alarm në Vlorë, probleme me dëborën në Veri

Situatë alarmante në Vlorë, ku gjatë gjithë ditës nuk lejohet dalja në det e anijeve të peshkimit dhe atyre të tonazhit të ulët si pasojë e detit me dallgë dhe erës së fortë.

Përgjatë gjithë paradites së kësaj të hëne në Vlorë kanë rënë reshje me intensitet të lartë, duke rikthyer frikën e përmbytjeve.

Bashkia ka paralajmëruar qytetarët të mos parkojnë makinat në disa zona me risk të lartë, të cilat disa muaj më parë u përfshinë nga përmbytjet, si rruga Albano dhe Romina, zona te Biblioteka Publike, pranë Kishës Orthodhokse, në skelë dhe shkolla ‘Halim Xhelo’.

Ndërkaq reshje shiu por edhe bore ka pasur edhe në veri të vendit, dhe problemet e para janë shfaqur në Kukës, në aksin Kukës Bushtricë.

Raportohet se disa automjete kanë mbetur në rrugë si pasojë e borës. Drejtuesit ankohen për mungesën e borëpastrueses.

Në Shkodër në lartësinë mbi 800 metër reshjet janë në formë dëbore. Në segmentin rrugor Qafe Mali- Fierze ka reshje dëbore me intensitet të ulet, por pa shkaktuar probleme për qarkullimin.

Ndërkohë në Lezhë raportohet për rreth 15 mm reshje shiu, por momentalisht nuk paraqiten probleme në rrjetin e kullimit. Funksionimi i rrjetit të kullimit dhe argjinaturat mbahen në monitorim.


Shtuar 23.12.2024 16:10