Momenti i grabitjes të banesës së Nazmi Çangut në Nikël, autori i veshur sportiv për 5 minuta zbërthen bravat (VIDEO)

Këto janë pamjet që Fax News ka siguruar nga grabitja e dhunshme në Nikël të Fushë-Krujës. Imazhet iu përkasin kamerave të sigurisë së një banese që ndodhet ngjitur me atë të Nazmi Çangut, ndërsa grabitësit, dyshohet se duke njohur mirë strukturën e vilës së këtij të fundit, kanë shmangur edhe kamerat e sigurisë.

Në pamje duket vetëm njëri nga grabitësit që shfaqet rreth orës 01:00 të mëngjesit të të dielës duke hyrë përmes murit anësor rrethues të vilës. Ai ndalon për pak kohë tek njëri automjet i parkuar, e provon nëse hapet apo jo, më pas të njëtën gjë bën dhe tek automjeti tjetër. Automjetet nuk i hapen ndërsa ka dyshime se ka kërkuar çelsa shtëpie por pa sukses. Grabitësi me kapuç në kokë, veshur sportiv, i drejtohet derës kryesore të vilës. Aty qëndron për rreth 5 minuta derisa zbërthen bravat. Ai më pas vrapon nëpër oborr, ngjitet në mur dhe tejkalon në anën tjetër.

Hetuesit kanë dyshime se ky person ka qenë caktuar në rolin e atij që hap rrugën për të tjerët. Këta të fundit pas sinjalizimit nga personi që shihet në pamje se rruga është e lirë, kanë hyrë njëri pas tjetrit në vilë, por këtë radhë kamerat nuk kanë kapur asgjë, pasi kanë përdorur një tjetër rrugëhyrje.

Fax News hyri këtë të martë brenda banesës së Nazmi Çangut. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë, ndërsa familjarët na theksuan se nuk ka pasur ndonjë komplikim të situatës së tij shëndetësore më tepër nga sa e kanë denoncuar në fillim. Nazmiu vetë nuk preferon të prononcohet, ndërsa për rastin na foli i vëllai.

“Nazmiu është mirë. S’ka patur asnjë përkeqësim të shëndetit të tij nga sa e ka deklaruar ai në fillim. Çështja është në duart e hetuesve, dhe ne duam vetëm zbardhjen e ngjarjes. Nuk kemi dyshim për askënd sepse askujt nuk i kemi asnjë borxh dhe asnjë konflikt. Jetojmë në këtë lagje bashkë me vëllezërit dhe kurrë s’kemi patur probleme”.

Ai na tregon edhe për dinamikën e ngjarjes.

“Lëre ç’thuhet! Të paktën 6 veta kanë qenë brenda banesës. 3 qëndronin tek dhomat e fëmijëve, (me këtë rast dua të konfirmoj se nuk kanë pasur asnjë dhunim prej grabitësve), 2 qëndronin në dhomën e Nazmiut, një tjetër herë ngjitej lart dhe herë zbriste poshtë, me sa duket mbante komunikimin me njëri-tjetrin. Kanë qëndruar më shumë se 2 orë brenda. I kanë kërkuar çelsin e kasafortës. Nazmiu nuk ka pranuar. Iu ka thënë “Çelsin e kam në bankë, kur më duhen para shkoj dhe i marr”. Sa i përket lajmeve se në kasafortë apo banesë janë marrë letra me vlerë, është mashtrim. Aty janë marrë diçka më shumë se 100 mijë euro dhe disa bizhuteri, asgjë tjetër. A mund të më thotë dikush vetëm diçka?! Çfarë letrash me vlerë mund të jenë marrë?”

Burime i thanë Fax News nga grupi i hetimit se ngjarja është komplekse, por është bërë një punë e mirë për identifikimin e autorëve për të cilët janë ngritur edhe pista konkrete. Nga ana tjetër këtë të hënë në Fushë-Krujë mbërrijnë përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në lidhje me hetimet për këtë ngjarje./Fax News/


Shtuar 26.10.2021 14:59