Gazetarja Klodiana Lala ka treguar detaje në lidhjet me lëvizjet e personit që goditi kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha në protestë, Gert Shehu. E ftuar sot, në emisionin “Opinion”, Klodiana Lala tha se Policia ka gjetur në telefonin e tij vetëm kontaktine e nënës së tij dhe nuk ishte asgjë tjetër.
Lidhur me lëvizjet e fundit që ai ka bërë para sulmit, Lala thotë se ngrihen dyshime se sulmi ka qenë i planifikuar.
“Në celular ka pasur vetëm numrin e nënës së tij. Ka një kanal të tijin në Youtube. Ishte i azhornuar në rrjetet sociale nuk mund të ketë rrjete sociale. Atë ditë ka dalë nga banesa, është falur, ka qëndruar 8 minuta në xhami dhe më pas ka shkuar tek PD dhe ka kryer aktin. Besoj se nuk është një gjë rastësore.
Nëse do kishte probleme mendore, do kishte goditur edhe të tjerët në turmë. Nga të dhënat e para janë kontradiktore, ai thotë se ka krijuar një mllef ndaj Berishës për shkak të ngjarjes së Gërdecit për shkak se ka patur një kushëri të punësuar. Më pas ka thënë se është një punë që duhej bërë,” tha Klodiana Lala.