Mjeku Edmond Gashi iku me vrap, reagon Gjykata e Tiranës: Doli nga dera e gjyqtarëve, u largua i pashoqëruar nga efektivët e Policisë

Gjykata e Tiranës, ka reaguar pasi la në fuqi masat e sigurisë për 8 të arrestuarit e skandalit të onkologjikut. Reagimi vjen pasi mjeku kirurg Edmond Gashi me t’u njohur me masën e sigurisë arrest shtëpie, ka dalë nga Gjykata dhe është larguar me vrap.

Gjykata Penale e Tiranës, sqaron se Edmond Gashi, ka dalë nga hyrja e autorizuar për gjyqtarët duke përfituar nga hapja e derës në mënyrë rastësore nga një punës i gjykatës.

Gjithashtu, Gjykata e Tiranës, thekson se Gashi është larguar i pashoqëruar nga efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët duhet të bënin dërgimin e tij në shtëpi.

“Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me rradhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qënë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qënë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit“, thuhet në reagimin e Gjykatës.

Reagimi:

Referuar interesit të shfaqur mediatik, nëpërmjet disa komenteve dhe pamjeve filmike të shfaqura ditën e sotme, në disa portale/media on line, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:

1. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, me vendimin numër 1585, datë 19.06.2024, ka vendosur, ndër të tjera: “Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim E. G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal. ………. “.

2. Me vendimin Nr. 1651, datë 27.06.2024 Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, ka vendosur ndër të tjera: “Miratimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim E. G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal”.

Referuar vendimeve të sipër cituara, ndaj personit nën hetim E. G., është cktuar nga Gjykata, masa e sigurimit personal shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

Kështu, në datën 27.06.2024, për paraqitjen dhe pjesëmarrjen e tij në seancën e caktuar për “Komunikimin e masës së sigurimit personal të caktuar në mungesë nga Gjykata”, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, personi nën hetim E. G., do të duhej të ishte i shoqëruar nga punonjës të policisë së shtetit, të cilët në zbatim të vendimit të gjykatës si dhe në referim të nenit 237 të K.Pr.Penal, duhet të ndjekin dhe të zbatojnë me përpikmëri vendimet e gjykatës, si dhe zbatueshmërinë e masave të sigurimit.

Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me rradhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qënë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qënë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit.


Shtuar 27.06.2024 15:52