Mekja infeksioniste Entela Kolovani thotë se pandemia e COVID ka sjellë një ndryshim total në punën e tyre. Përballë një paneli mjekësh në “Log.” në ABC, Kolovani e cilësoi periudhën e pandemisë një transformim psikologjik për shkak të përballjes me situatat nga më të rëndat.
“COVID na ndryshoi totalisht. Duke qenë se ne pranonim në spital raste mbi mesataren. Prisnim raste të rënda. Ka qenë një transformim psikologjik për të gjithë ne përballja me situatat e rënda. Vuajtja lidhej me disa probleme. Me anën personale të çdo mjeku dhe me vetë familjarët. Ne kemi mjaft raste të veçanta. Unë do të trajtoj një ose dy raste”, tha ajo.
Kolovani veçoi dy raste që kanë ndikuar në gjendjen e saj dhe të bashkëshortit të saj i cili po ashtu është mjek.
“Një prej pacientëve të mi që ka qenë nga ata që e kanë vuajtur më gjatë këtë sëmundje, mbi tre muaj në spital dhe në fund nuk ia doli. E ka kaluar COVID i ulur në karrige natë dhe ditë për shkak se nuk shtrihej dot prej probleme në frymëmarrje. Një nga herët sa kam shkuar në shtëpi, kam qenë duke qarë pasi përjetoja si mund të qëndrojë një pacient natë e ditë i ulur në karrige. Ishte nga ata pacientët që nuk e fituam dot.
Rasti i dytë është një koleg që unë e kam bashkëshort. Ai kishte një pacient dhe të dy festonin ditëlindjen në një ditë. E kishin lënë të ngrinin dolli bashkë. Im shoq ishte përgatitur atë ditë por për fat të keq ai ndërroi jetë pikërisht atë ditë”, tha Kolovani.