Mjekësia 3 vite punë me detyrim/ Qeveria gati draftin: Punësim brenda 3 muajve

Qeveria ka miratuar ndryshimet për bllokimin e diplomës të studentëve të “Mjekësisë”, pas përfundimit të fakultetit.
Pas rrëzimit të nismës së parë prej Gjykatës Kushtetuese, për të gjithë ata që do të kryejnë studimet falas, do të duhet të punojnë tre vite me detyrim në spitalet shqiptare.

Vendimi i ri i qeverisë parashikon punësimin brenda 3 muajve, ndërsa kur ministria nuk e realizon këtë kusht do t’i jepet 80 për qind e pagës së mjekut.

Ndryshimi i ligjit vjen pas rrëzimit të përcaktimeve të vitit të shkuar nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërsa për ata që do t’i kapë ky ligj në vitin e tretë, detyrimin do ta kenë 2 vite e të tjerët nga një vit.

Vetëm pas kësaj periudhe, do të kenë mundësi që të zhvendosen me punë jashtë shtetit shqiptar.

Paralelisht me këtë, projektligji parashikon edhe punësimin e shpejtë në institucionet e shëndetësisë.

Brenda 3 muajve nga përfundimi i studimeve, ministria duhet t’i firmosë vendin e punës.

Por në rast se brenda kësaj periudhë, jo për shkak të punëmarrësit, nuk realizohet detyrimi do t’i jepet 80 për qind e pagës së mjekut për një afat 9 mujor.

Më tej, thuhet se nëse sërish nuk realizohet marrja në punë, studentit i hiqet kushti i mbajtjes së ngrirë të diplomës. Ligji do të zbatohet nisur nga Viti Akademik 2024 e deri në 2029-ën.

Sa u përket të rinjve që do të pranojnë të paguajnë faturën e studimeve kushti i punësimit me detyrim hiqet, ndërsa tarifa do të vendoset nga vetë universiteti.

Gjykata Kushtetuese, e rrëzoi në 25 janar projektin e parë të qeverisë që shkaktoi dhe protesta të studentëve.


Shtuar 1.05.2024 14:08