Misteri/ Një person i tretë në makinën me Licin e Bushatin? Policia ngre dyshime

Një person i tretë dyshohet të ketë qenë brenda makinës Mercedes, së bashku me dy viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Gazetarja Glidona Daci, ka mësuar nga burimet hetimore se kjo pistë dyshimi, është ngritur për shkak se brenda makinës së viktimave u gjetën 3 pistoleta.

Ç`ka mendohet se brenda mjetit ka qenë 3 vetë. Dhe ky person i tretë është larguar menjëherë pas atentatit.

Nuk dihet nëse ka mbetur i lënduar ose jo, megjithatë grupi hetimor ka marrë mostra gjaku brenda mjetit dhe do të konfirmohet nëse i përkasin edhe një personi të tretë apo vetëm dy viktimave Lici e Bushati, përkarësisht 23 dhe 32-vjeç.

Gjithashtu, brenda makinës së viktimave u gjetën edhe gëzhoja armësh, çka do të thotë se ata i janë kundërpërgjigjur me armë atentatorëve.

Si pasojë e sulmit me armë, makina Benz me të cilën udhëtonin viktimat, përplasi një motorçikletë që po lëvizte në zonë, e që fatkeqësisht humbi jetën Flutura Basha dhe ka mbetur i plagosur rëndë bashkëshorti i saj Bashkim Basha, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me atentatin.

Sa u përket atentatorëve, hetuesit dyshojnë se janë vrasës me pagesë të ardhur nga Mali i Zi. Ata e dogjën makinën e përdorur në atentat, tip Range Rover, brenda së cilës u gjetën 2 kallashnikovë.

Në lidhje me pistat hetimore, nuk është përcaktuar ende motivi. Por shumë persona u shoqëruan, mes të cilëve edhe Safet Bajri. Të gjithë u lanë të lirë pas marrjes në pyetje.

Ajo që dihet është se familja Lici ka qenë në konflikt të hapur me familjen Bajri. Por nuk përjashtohen as pista të tjera.

Nga ana tjetër, disa javë më parë, Arlind Bushati, që është djali i Xhemal Bushatit ish-kandidatit për Bashkinë e Shkodrës, u kërcënua hapur në pedonalen e qytetit nga dy persona me motor, për të cilët ai bëri denoncim dhe tha se i nxorrën pistoletën. Por arma nuk shkrepi.

Arlind Bushati 32-vjeç ishte baba i dy fëmijëve të mitur.


Shtuar 31.10.2024 13:38