“Miratimi i ligjit për privatizimin, ditë e keqe për demokracinë”, Tabaku: Parlamenti s’mund të jetë burimi i korrupsionit

Pas miratimit të ndryshimeve të kërkuara nga tre deputetë socialist për ndryshimin e pronave ka reaguar dhe një herë deputetja e PD, Jorida Tabaku. Ajo ka analizuar në një video mesazh se parlamenti duhet të ishte në krye të luftës kundër korrupsionit dhe jo të shndërrojë veten e tij në promotor të tij.

Ajo e konsideroi javën që sapo u mbyll si një ditë të keqe për demokracinë dhe parlamentin pas miratimit të këtij ligji. Ndërkohë që është shprehur se motivi i parlamentit duhet të ishte interesi publik dhe jo interesi i një pakice që prevalon gjithmonë përpara interesit të shumicës.

REAGIMI I TABAKUT

Java që u mbyll nuk qe me bilanc pozitiv për parlamentin. Një ligj tjetër i radhës në listën e gjatë të ligjeve të kapura u miratua dhe i cili nuk e lufton korrupsionin por thjesht e nxit dhe e promovon atë. Jemi në një moment ku parlamenti duhet të merrte rol në luftë kundër korrupsionit.

Ku çdo ligj e akt që miratohej duhet të ishte patjetër në këtë frymë. Ndërkohë që ligji që kaloi, që lidhet me ligjin e privatizimeve thjesht bën të mundur që prona shtetërore tashmë të konsiderohet si plaçka e radhës për këdo që ka një investim strategjik, për këdo që do të marrë një leje zhvillimore dhe të jepet për këmbim nga publiku tek privati; nga privati tek publiku dhe të trajtohet sikur është pronë personale. Nëse sot Shqipëria vuan është pikërisht prej këtyre ligjeve është pikërisht prej sjelljes zaptuese që nuk mendon. Që nuk mendon që pronën publike ta vendosë në dispozicion të pronarit legjitim, që nuk mendon për të mirën publike, që nuk mendon për luftën kundër korrupsionit edhe kur bëhet fjalë për çështjen e pronës. Por gjithmonë e në çdo vendim e kanë mendjen tek pakica dhe jo tek shumica. Parlamenti duhet të ketë një frymë e një qasje që në çdo ligj të marrë parasysh luftën kundër korrupsionit.


Shtuar 18.05.2024 13:27