Ministria e Drejtësisë, ka dorëzuar një kërkesë për ekstradim të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj nga Zvicra. Ky fakt, u bë me dije gjatë relatimit të fakteve ne procesin në themel për dosjen “Buka”, ku u vendos të vijojë procesi në mungese për ish-nr 2 të qeverisë.
Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, bëri të ditur se për klientin e tij nuk ka asnjë masë sigurie në këtë çështje dhe se masa e propozuar lidhet me një procedim tjetër.
“Për këtë dosje për Ahmetaj nuk ka asnjë mase sigurie. Masa është për efekt te nje procedimi tjetër”, tha Ligori.
Ahmetaj ndodhet në arrati që prej korrikut 2023 dhe raportohet se po strehohet në Zvicër.
SPAK e akuzon atë për “shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal, me dyshimin se i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 7 miliardë lekësh.
Për çështjen e inceneratorëve, ndaj ish-zëvendëskryeministrit rëndojnë gjithashtu akuzat për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimet për këtë dosje pritet të përfundojnë më 23 shtator.
