Ministrat e LSDM-së nuk i tremben ndryshimeve të kabinetit qeveritar, çfarë thonë ata

Ministrat nuk kanë frikë nga paralajmërimet për ndryshime në kabinetin qeveritar. Pas deklarimeve të nënkryetarit të LSDM-së, Fatmir Bytyqi se do të ndryshohen disa ministra nga kabineti Qeveritar, anëtarët e Qeverisë thonë se matematikat e ndryshimeve i takojnë liderëve. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se është i fokusuar në menaxhimin e pandemisë.

“Nuk ngarkohem nga ajo çështje. Jam i përkushtuar në atë që quhet menaxhim i pandemisë”, deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ministrja e Arsimit, Milla Carovska thotë se do të respektojë çdo vendim të mandatarit.

“Derisa ka propozim nga mandatari i cili sigurisht vendimet i sjellë në interes të qytetarëve dhe varësisht rezultateve të treguara, do të pranohet edhe vendimi i cili do të merret nga ai”, u shpreh Milla Carosska, Ministre e Arsimit.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski thotë se rëndësi ka që vendi të vazhdojë kursin euroatlantik, duke shtuar se negociatat për zgjerimin e shumicës parlamentare pritet të intensifikohen ditëve në vijim.

“Është shumë me rëndësi që shteti të vazhdojë në këtë drejtim, pra drejtimin euroatlantik. Pritet që ditëve në vijim të vazhdojnë negociatat për zgjerimin e shumicës parlamentare ku do të krijohet hapësirë që Qeveria të punojë me dinamikë edhe më të madhe dhe të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura”, deklaroi Bllagoj Boçvarski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Nga BDI-ja vlerësojnë se ndryshimet në kabinetin qeveritar janë të domosdoshme, por jo edhe nga radhët e tyre.

“Neve kemi deklaruar qëndrimin tonë nuk ka nevojë për ndryshimin e kuadrove të BDI-së në formatin aktual të Qeverisë por kuptohet se varësisht negociatave që po i bën kryetari i partisë me kryeministrin dhe kryetarin e LSDM-së, do të merret vendim i cili do të respektohet nga ne”, theksoi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Nga LSDM-ja deklaruan se akoma nuk dihet numri i ministrave që do të ndryshohen dhe se nënkryetari Bytyqi nuk ka dhënë numër konkret të resorëve që do të pësojnë ndryshime kadrovike. Ndërkohë brenda LSDM-së vazhdon debati për pasardhësin e Zaevit. Media në gjuhën maqedonase duke u thirrur në burime të besueshme brenda Socialdemokratëve lakojnë emrin e Dimitar Kovaçevskit, zëvendësministër i Financave dhe anëtarë i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.

Nga ana tjetër, kryeministri Zaev akoma është në pritje të përgjigjes së kreut të Alternativës, Afrim Gashi për takim mbi mundësinë që partia e Gashit t’i bashkohet shumicës parlamentare. Jo zyrtarisht Alternativës i janë ofruar dy resorë me të cilat aktualisht menaxhon LSDM-ja. Të martën që vjen partia opozitare shqiptare do të mbledh kryesinë qendrore për të vendosur nëse do të negociojë ose jo me kryeministrin Zaev, ndërsa deri atëherë mësohet se Gashi do të zhvillojë takime me partnerët e koalicionit zgjedhor Ziadin Sela dhe Hristijan Mickoski. /Alsat.mk


Shtuar 17.11.2021 15:39