Protesta e VMRO DPMNE-së më 18 qershor do të dëshmojë se populli dëshiron zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këtë e paralajmëron lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski, i cili nuk ka mëdyshje se vendi është në prag të zgjedhjeve. VMRO DPMNE do të kërkojë besimin e qytetarëve në këto zgjedhje dhe do të dëshmojë se nuk janë të gjithë të njejtë, sipas Mickoskit. Ai tha se gjatë qeverisjes së LSDM-së, vendi është para kapitulimit në aspektin ekonomik dhe energjetik.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Nëse kryeministri do të jetë realist, duhet të thotë se kemi inflacion rekord, jemi të fundit për investimet e huaja dhe vendase, se kemi kapitulluar para krizës energjetike, se jemi në fazën e kapitullimit para krizës ekonomike dhe se nuk ka perspektivë sepse të gjitha pozitat kombëtare janë të shkatërruara, dhe qytetarët jetojnë rëndë dhe mezi ia dalin mbanë, nga fillimi deri në fund të muajit. Ky është realiteti që duhet të prezantohet para qytetarëve, e jo të jepen deklarata të rrejshme”.
Mickoski komentoi edhe festën e shtrenjtë për 20 vjetorin e BDI-së, duke vënë në dukje se në momente kur qytetarët përballen me krizë të thellë, partia e Ali Ahmetit shpenzon qindra mijëra euro në koncerte të shtrenjta.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“BDI nuk duhet të organizojë festa të shtrenjta në kohë krize. BDI funksionon si ‘Deep State’ dhe kjo është një nga arsyet pse kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare që të mund ta çrrënjosim dhe ta mundim këtë ‘Deep State’ që ka krijuar BDI në institucione”.
Lidhur me kërkesat e sindikalistëve, Mickoski tha se partia e tij i përkrah punëtorët dhe kërkesat e tyre, por nuk pajtohet me liderin e sindikalistëve të cilin e quan të preferuar të pushtetit. /SHENJA/