Meta: Tronditëse vjedhja e të dhënave, në 25 prill regjimi i fuksave do të marrë fund

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka ngritur shqetësimin e vjedhjes së të dhënave personale nëpërmjet sistemit digjital kombëtar. Në një postim në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se përdorimi politik i të dhënave personale, përmes metodave diktatoriale, është një lajm tronditës për çdo shqiptar por dhe për çdo europian.

Kreu i Shtetit i bën thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë duke nxjerrë para përgjegjësisë ligjore ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre praktikave, që siç thotë presidenti i nxijnë faqen Shqipërisë.

“Vjedhja nga sistemi digjital kombëtar dhe përdorimi politik i të dhënave personale, përmes metodave diktatoriale, është një lajm tronditës për çdo shqiptar por dhe për çdo europian.

Ndaj të njëjtin shqetësim të thellë dhe u bëj thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë me shpejtësi duke nxjerrë para përgjegjësisë ligjore ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre praktikave survejimi e përndjekjeje, që e kthejnë vendin vite pas dhe i nxijnë faqen Shqipërisë kudo në botë.

Pyetjet legjitime të ngritura nga përfaqësuesja e SPD duhej në fakt të kishin alarmuar Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Avokatin e Popullit dhe çdo institucion shtetëror, që e kanë detyrë kushtetuese dhe ligjore mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Më 25 prill regjimi i fuksave do të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, shkruan Presidenti Meta.

 


Shtuar 18.04.2021 21:37

Tags: