Një tjetër sulm për “Ballkanin e Hapur” është bërë nga Presidenti Meta, kësaj here nga Prishtina duke e konsideruar si një nismë përçarëse.
Meta: Procesi i Berlinit është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE, që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues. Përkundrejt kësaj, “Ballkani i Hapur” është nismë përçarëse dhe përjashtuese.
Më herët, mbi këtë marrëveshje, Meta ka reaguar duke postuar edhe në rrjetin e tij social ku thuhet se shqiptarët nuk mund të besonin në një pakt të tillë që sipas tij po përpiqte të ringjallte planet serbo-centriste në rajonin e Ballkanit.
Postimi i Plotë nga Presidenti Ilir Meta:
Një rrymë serbo-centriste po rreket të rigjallojë në rajon.
Mohimi i gjenocidit, që i ka ende plagët dhe kujtimet e freskëta në këtë rajon, nuk mund të bashkëjetojë njëkohësisht me aspiratat europiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve tona.
Si mundet t’u besojmë qëllimeve të mira të “Ballkanit të Hapur”, kur ringjallen fantazma e Millosheviçit dhe projektet për rivizatim kufijsh?
Në këtë çështje, Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë të bashkuara dhe në koordinim të plotë të qëndrimeve të tyre, duke tërhequr sa më shumë mbështetjen e BE, NATO-s dhe SHBA.
Thelbësore për paqen dhe stabilitetin në rajon, është rezonimi i vlerave të përbashkëta euro-atlantike dhe jo i lidershipit autokratik. /albeu.com/