Meta ngre shqetësimin: Administrata po fryhet nga mbipunësimet në këmbim të votës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka bërë një postim në llogarinë e tij në “Facebook” ku shpreh shqetësimin me rritjen e punësimeve para zgjedhjeve në administratë shtetërore.

Sipas tij, rritja ka kapur kulmin duke shënuar një rekord që në 2015, ndërsa shton gjithashtu se të gjitha janë punësime elektorale fiktime të përkohshme në këmbim të votave, për zgjedhjet e 25 prillit.

Nga ana tjetër Presidenti shprehet i bindur se më 25 prill shqiptarët do të marrin pjesë në referendumin historic, siç ai e konsideron, për të ndëshkuar degradimin e administratës dhe për të realizuar lirinë e shtetit.

Postimi i Plotë

SHQIPËRIA ZBRAZET, BIZNESET MBYLLEN, POR ADMINISTRATA FRYHET.
Në kushtet kur ritmet dramatike të shpopullimit të vendit nuk i ndali as pandemia, kur situata ekonomike në vend rezulton më e rënda prej vitit 1991 dhe sipas të dhënave zyrtare të paktën 50 mijë vende pune janë mbyllur për shkak të COVID-19, fryrja e administratës shtetërore me punësime të reja fiktive në prag të zgjedhjeve të 25 prillit ka përparuar ndjeshëm.

Sipas të dhënave nga burimet administrative mbi punësimin ( listë-pagesat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve) në tremujorin e fundit të vitit 2020 numri i të punësuarve në administratën shtetërore arriti në 182.5 mijë persona, duke u shtuar me rreth 10 mijë vende, në raport me tremujorin e mëparshëm.
Rritja ka arritur kulmin duke shënuar rekord, që nga viti 2005, e krahasuar me mesataren vjetore.
Të dhënat nga terreni flasin hapur për krijimin e pozicioneve të reja fiktive të punës në kundërshtim me ligjin, vetëm për qëllime elektorale, në këmbim të votave më 25 prill.Barra e këtyre shpenzimeve të papërgjegjshme bie mbi të gjithë qytetarët e Shqipërisë, të cilët me taksat e tyre detyrohen të paguajnë fryrjen artificiale të administratës.

Koston e punësimeve elektorale e paguajnë direkt edhe bizneset, që për shkak të pandemisë ndodhen në kufijtë e mbijetesës, në mungesë të një mbështetjeje financiare nga shteti.

Punësimet e përkohshme fiktive elektorale kanë për qëllim trajtimin preferencial të simpatizantëve dhe anëtarëve të forumeve politike të mazhorancës aktuale, me qëllim angazhimin e administratës dhe burimeve shtetërore në funksion të zgjedhjeve.
Përdorimi i shtetit për qëllime elektorale është një tjetër dëshmi serioze dhe skandaloze e degradimit dhe e kompromentimit të reformës në administratën publike nga ana e Kryeministrit ende në detyrë.

Më 25 prill jam i bindur se të gjithë qytetarët shqiptarë do të marrin pjesë masivisht në referendumin historik për të ndëshkuar njëherë e përgjithmonë degradimin e administratës, shpërdorimin e taksave dhe buxhetit, si dhe për të realizuar çkapjen e shtetit.


Shtuar 19.03.2021 13:40