Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka deklaruar se Shqipëria është vendi i fundit në rajon në lidhje me lirinë e medias, referuar Indeksit Botëror të Lirisë së Medias.
Meta shkruan se kryeministri Edi Rama, është armik i fjalës së lirë dhe pavarësisë së medias.
Ndërsa në lidhje me protestën e organizuar dje nga gazetarët para Kuvendit, Meta shprehet se i inkurajon punonjësit e mediave të vijojnë pa u trembur misionin e tyre, duke ftuar organizatat prestigjioze botërore të medias të monitorojnë edhe me më shumë vëmendje situatën e kolegëve të tyre në Shqipëri.
Postimi i Metës:
“Shqipëria e fundit në rajon edhe mes vendeve kandidateve për në Bashkimin Europian, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Medias.
Nga vendi i 85-të në vitin 2014, tani renditemi në vend të 99-të, me një klimë më të përkeqësuar për gazetarët.
Asnjë surprizë!
Edi Rama është armik i fjalës së lirë dhe i pavarësisë së medias sepse ai është armiku kryesor i lirisë së çdo qytetari shqiptar, i votës së lirë, pluralizmit politik, demokracisë, shtetit ligjor dhe i barazisë para ligjit.
Duke dënuar me forcë dhunën, censurën, presionet dhe shantazhet gjithmonë në rritje ndaj medias së pavarur dhe kritike me Qeverinë, inkurajoj gazetarët të vijojnë pa u trembur misionin e tyre dhe i ftoj organizatat prestigjioze botërore të medias të monitorojnë edhe me më shumë vëmendje situatën e kolegëve të tyre në Shqipëri.
Pa liri të medias, nuk ka demokraci, llogaridhënie dhe transparencë!”, shkruan Meta.