Ndonëse morën pjesë në konferencë, asnjëri prej 5 prokurorëve nga departamente të ndryshme të Prokurorisë Speciale nuk u deklarua.
Të lidhura
None found
Për operacionin e zhvilluar një javë më parë në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, ku në Kosovë u sekuestruan asete në vlerë prej 1 milion euro që lidhen me një rrjet të pastrimit të parave nga trafikimi i drogës, foli kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Gjatë paraqitjes së tij, Isufaj vlerësoi institucionin që drejton, por nuk dha shumë hollësi lidhur me rastin.
“Ky operacion është realizuar në kuadër të një hetimi, një pastrimi transnacional të të ardhurave të nxjerra nga trafikimi i drogës nga autoritet italiane dhe franceze, të koordinuar nga Europli dhe Eurojust e në bashkëpunim të plotë me PSRK-në. Në kuadër të këtij rasti janë arrestuar dy persona në shtator të 2025 nën dyshimin për kryerjen e veprave penale pjesëmarrja apo organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe shpërlarja e parave, operacioni në fjalë është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional”, ka thënë Blerim Isufaj – Kryeprokuror i PSRK-së.
Në këtë konferencë, ai preku edhe aktivitetin e departamenteve të tjera, përfshirë hetimet për krime lufte.
“Këtë vit kemi realizuar edhe dy aksione që lidhen me krime të lufres, në këtë drejtim me masakrën e Reçakut janë arrestuar 5 persona, ndërsa me një operacion tjetër të kryer në Syridan janë arrestuar 5 persona për krime lufte, pastaj hetimet për lagjen në familjen Jashari së shpejti do finalizohen”, , ka thënë Blerim Isufaj – Kryeprokuror i PSRK-së.
I pyetur për deklaratat politike të zyrtarëve shtetërorë, në të cilat ai kritikohet vazhdimisht, Isufaj dha një përgjigje të shkurtër.
“Këtu jan pyetje që mund të ja drejtoni Këshillit Prokurorial të Kosovës, megjithatë unë nuk i komentoj deklaratat politike të askujt, nuk bij pre e askujt kaq”, ka thënë Blerim Isufaj – Kryeprokuror i PSRK-së.
Sipas Isufajt, ndër sukseset e PSRK-së hyjnë edhe aktgjykimet dënuese të shpallura në shkallë të parë në rastet e spiunazhit dhe në rastin Banjska, ndërsa tha se së shpejti pritet të nisë edhe gjykimi për rastin e Iber Lepencit.
