Mbrëmjen e sotme, emisioni “Fiks Fare”, solli rastin e një shkolle 9- vjeçare në Elbasan, e cila është bërë objekt hetimesh dhe inspektimesh, sepse një mësues i ka shkruar në “Facebook” një nxënëseje të klasës së 9-të, duke i kërkuar numrin e telefonit që të flasin ndonjëherë.
Kjo situatë për këtë mësues është e përsëritur, gati 1 vit më parë ka bërë po të njëjtën gjë me një tjetër nxënëse, por situata ka kaluar në heshtje.
Emisioni Fiks Fare, solli dëshminë e një mësuesi të shkollës ,i cili tregoi se është bërë objekt sulmesh nga drejtoresha e shkollës vetëm sepse e denoncoi rastin, pasi edhe ky rast do kalonte në heshtje si rasti i parë.
Ermali thotë se pas kësaj situate, drejtoresha e shkollës e ka vlerësuar dosjen e tij me “dobët”, ndërkohë që për 10 vite e njëjta dosje është vlerësuar me “shumë mirë”.
Jo vetëm aq, por mësuesi i cili i shkruajti nxënëses dhe mori nga shkolla paralajmërim për heqje nga puna për shkelje etike, po ashtu u pezullua pas nisjes së procesit hetimor është vlerësuar me “mjaftueshëm” .
Ermali thotë se e kanë mbështetur të gjithë mësuesit e shkollës, të cilët kanë bërë dhe një peticion për drejtoreshën. Por nuk po merret asnjë masë, madje mësuesi në hetim dhe i pezulluar vjen në shkollë dhe është përfshirë edhe në përgatitjet për nisjen e vitit të ri akademik.
Drejtoresha e shkollës në takim me gazetarët i gënjeu këta të fundit, duke thënë se mësuesi nuk ka marrë pjesë në mbledhje, madje ajo tha se për mësuesin që shkruajti në “Facebook” edhe herën e parë e ka paralajmëruar me heqje nga puna.
Ndërkohë për vlerësimin e mësuesit në dosje “dobët” pranon se ka gabuar, duke u shfajësuar se ka qenë në momente tensioni dhe inati, duke anashkaluar profesionalizmin.
Mësuesi që i shkruajti në “Facebook”, nxënëses pranon se e bëri këtë gjë në një moment dobësie dhe nuk e arsyeton dot veprimin e tij.
Mësuesi pranon se ka shkuar në shkollë dhe është përfshirë në proces, ndërkohë që drejtoresha e mohon.
Për herën e parë që i dha një numër një nxënëse me anë të Facebook-ut thotë se drejtoresha ka bërë një procesverbal.
Ndërkohë që drejtoresha kërkon të shfajësohet dhe të thotë se gjithmonë ka vënë në dijeni zyrën vendore arsimore, kjo e fundit e mohon këtë gjë.
Zyra Vendore Arsimore Elbasan në një përgjigje për emisionin Fiks Fare thotë se nuk ka pasur asnjëherë dijeni më parë për situatë të njëjtë me mësuesin duke hedhur kështu poshtë atë që deklaroi drejtoresha. ZVA Elbasan po ashtu mohon të ketë dijeni që mësuesi ka shkuar në shkollë.
Ky institucion sqaron se mësuesi nuk duhet të hyjë në ambientet e shkollës deri në vendimin e prokurorisë.